TIRANE - Një vrasje me dashje të kryeqytetit, e ka cilësuar Artan Shkreli, përfaqësues i Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, planin e ri urbanistik të Tiranës të miratuar dje nga Këshilli Kombëtar i Rregullimit të Territorit. Sipas Shkrelit ky plan nuk plotëson asnjë standard. Por n/kryetari i Bashkisë së Tiranës, Petrit Vasili, ka replikuar se kushdo, përfshi Partinë Socialiste që gjithashtu e ka kritikuar planin, kishte kohën dhe mundësinë për të argumentuar oponencën me grupin e ekspertëve.

SHKRELI: VRASJE E TIRANES ME PARAMENDIM

“Nëse deri dje janë bërë vrasje klandestine të qytetit, sot këto janë vrasje me paramendim. E themi këtë sepse fjalimi i Kryeministrit që ka mbajtur përpara Këshillit Kombëtar të Territorit dje, ka qenë një manual i cili i duhet shpërndarë të gjitha fakulteteve të arkitekturës nëpër botë. Ky plan rregullues nuk ka as edhe një standard të vetëm, nuk kam arritur akoma të shikoj në jetën time profesionale një plan që nuk ka asnjë standard”, deklaroi i indinjuar Artan Shkreli gjatë një prononcimi për mediat.

Sipas tij, “një tjetër problem shumë i madh është ndryshimi i rregullave gjatë lojës. Është servirur një plan për të cilin është punuar me vite të tëra dhe tani thuhet se ky plan nuk mund të funksionojë me legjislacionin ekzistues, kështu që tani do të ndryshojmë legjislacionin. Kjo është e paprecedentë. Mbi ç’baza, i bëj pyetjen Kryeministrit, u realizua ky plan ndërkohë që baza legale mbi të cilin çdo plan mbështetet nuk qenka e saktë? Bëhet fjalë për një legjislacion të miratuar po nga zoti Berisha. Të ndërrosh legjislacionin pasi është miratuar plani do të thotë të rrëzon planin pa e miratuar atë. Kështu që në këtë pikëpamje mendoj që plani është urgjent për t’u abroguar në nivel gjyqësor në mënyrë që ky të mos arrijë të bëjë asnjë shkatërrim në Tiranë”, tha Shkreli.

VASILI: PS PATI KOHEN PER OPONENCE

Por numri dy i Bashkisë së Tiranës, Petrit Vasili, ka deklaruar se Partia Socialiste dhe kushdo tjetër që shpreh kritika kundër planit rregullues, kishte të gjithë kohën e nevojshme për të bërë sugjerime me grupin e ekspertëve. “Oponenca për çështje të tilla duhet të jetë e strukturuar dhe e ballafaquar me grupet e specialistëve që punonin. Sot nuk mund të themi, me një vështrim periferik dhe të menjëhershëm, që kjo gjë bën apo kjo gjë s’bën. Një grup i madh teknicienësh shumë të kualifikuar kanë punuar për ta përgatitur këtë plan dhe duhet të kishin bërë një oponencë që duhet të ishte bazuar thellësisht nga ana teknike dhe duhej të ishte kërkuar, nëse kishte argumente, edhe një ballafaqim i tillë”, tha Vasili.

N/kryetari i Bashkisë së Tiranës theksoi se problemet e planit rregullues të Tiranës nuk zgjidhen përmes deklaratave në media. “Për muaj e muaj të tërë plani ka qenë i hapur, edhe për qytetarët, nëse do të kishte një oponencë të tillë, le të strukturohej në mënyrë të tillë, qoftë nga ana metodologjike qoftë nga ana teknike, në mënyrë të tillë për të cilën të flitej. Opinionet e një interviste dy minutëshe në media apo një komenti të shkurtër 60 rradhësh nuk e zgjidhin këtë problem”, përfundoi Vasili.

(im/shqiptarja.com)