Shqipëria dhe Çekia kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi sa i përket shkëmbimit të përvojave në planifikimin e territorit dhe çështjes së strehimit.

Ministrja e Zhvillimit Urban të Republikës së Shqipërisë, Eglantina Gjermeni dhe Ministrja e Zhvillimit Rajonal të Republikës së Çekisë, Karla Slechtova nënshkruan sot në Tiranë, Memorandumin e Mirëkuptimit ndërmjet dy ministrive në fushën e zhvillimit urban dhe strehimit. Në takimin e zhvilluar në Pragë në mars të këtij viti, në kuadër të konferencës “European Habitat”, dy ministret ranë dakord mbi pikat e bashkëpunimit ndërmjet dy ministrive në fushat e zhvillimit urban dhe rajonal dhe strehimit, të cilat janë pjesë e memorandumit të bashkëpunimit të nënshkruar këtë të premte.

Ministrja Gjermeni falënderoi Ministren Slechtova për mbështetjen, që Çekia i ka dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit të vendit në familjen Evropiane.

Mbështetja e vendeve të Vishigradit dhe Republikës Çeke në veçanti e cila mban presidencën e rradhës mundësoi krijimin e Fondit të Investimeve të Ballkanit Perëndimor në Tiranë. Ky fond është një mundësi shumë e mirë për financimin dhe zbatimin e projekteve konkrete në fusha dhe sektorë të ndryshëm të ekonomisë.  Ne si Ministri e Zhvillimit Urban kemiaplikuar pranë këtij fondi investimesh për zbatimin e një projekti në fushën e strehimit social.  Kërkojmë mbështetje dhe bashkëpunim për realizimin e projekteve tona ambicioze”, tha Ministrja Gjermeni pas nënshkrimit të Memorandumit.

Ministrja Slechtova vlerësoi punën e bërë nga Ministria e Zhvillimit Urban në fushën e planifikimit dhe të strehimit në Shqipëri. Ajo siguroi se mbështetja për të zbatuar në terren eksperiencën e vendit të saj do të zgjerohet.

Sipas saj, prej ditës së sotme do të jenë stafet respektive të dy ministrive, të cilat do të punojnë për hartimin e një kalendari pune me aktivitete konkrete për zbatimin e memorandumit.

Sa i takon projektit për financimin e të cilit MZHU ka aplikuar pranë Fondit të Investimeve të Ballkanit Perëndimor në Tiranë, ai konsiston në ndërtimin e banesave sociale në katër baskitë vendit përkatësisht Tiranë, Kavajë, Krujë dhe Shkozet - Durrës.

Nga ky projekt do të mundësohet strehimi i 1,000 familjeve në nevojë dhe Ministria e Zhvillimit Urban është duke bashkëpunuar edhe me Bankën e Këshillit të Evropës për Zhvillim dhe bashkitë, për të garantuar bashkëfinancimin për realizimin e këtij projekti.

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)