Një shqiptar është arrestuar këtë të premte në Vjenë pasi dyshohet se kishte planifikuar të kryente një sulm terrorist në këtë qytet.

Lajmi konfirmohet nga mediat vendase të cilat citojnë burime të policisë.

“Sinjalizimet e ditëve të fundit kishin ngritur dyshimet se një akt terrorist ishte duke u përgatitur. Në momentin e arrestimit ishin të pranishëm shumë forca policore ndërsa i dyshuari u arrestua pranë banesës së tij pas një urdhërarresti” u shpreh zëdhënësi i policisë në Vjenë.

Gazeta Kronenzeitung newspaper më tej publikoi një dokument të siguruar nga Ministria e Brendshme e cila citonte se i arrestuari ishte pjesë e një grupi radikal islamik pjesëtarët e të cilit janë me origjinë shqiptare.

Sipas informacioneve sulmi terrorist do të ndërmerrej në datat 15 ose 30 janar.

Në bazë të dokumentit një simpatizant gjerman i Shtetit Islamik kishte prodhuar eksplozivë dhe synonte t'i sillte në Vjenë. Por ai nuk arrinte të përfundonte misionin e tij. Ndërkohë autoritete vendase kanë bërë thirrje që njerëzit të jenë të kujdesshëm në hapësirat publike.

Redaksia Online
Al.N/E.M/Shqiptarja.com