Duke e mirëkuptuar tërësisht rolin e pazëvendësueshëm që ka media në garantimin e transparencës dhe hedhjen dritë mbi çdo fenomen shqetësues të shoqërisë, për mua mbetet e pakuptueshme se si ndërtohen panelet televizive për çështje penale konkrete në zhvillim, ku përballë një personi nën hetim, apo, më keq akoma, një të pandehuri, vendosen persona pa njohuri reale të dosjes, pa akses të plotë në prova, pa kualifikim profesional të specializuar dhe pa asnjë përgjegjësi juridike apo kontraktuale për pasojat e deklarimeve të tyre.
Në këtë mënyrë, çështja penale, e cila për nga natyra e saj kërkon analizë të thelluar të provave dhe respektim rigoroz të garancive procedurale, deformohet në një gjyq televiziv, ku gazetari dhe/ose analisti merr funksione de facto akuzuese, drejtuesi i emisionit projektohet si gjyqtar, ndërsa i pandehuri vendoset përballë një “gjyqi paralel”, në të cilin çdo deklarim i pambështetur mund të prodhojë pasoja reale në pozitën e tij juridike dhe në perceptimin publik mbi fajësinë.
Parimi gazetaresk i balancimit të panelit është, pa dyshim, i kuptueshëm në teori. Megjithatë, në kontekstin e një çështjeje individuale penale, ky parim është praktikisht i pazbatueshëm pa cenuar thelbin e procesit të rregullt ligjor. Ose duhet të ftohet edhe organi i akuzës, duke e shndërruar studion në një forum të mirëfilltë gjykimi publik, ose duhet respektuar një parim themelor i shtetit të së drejtës: gjykimi zhvillohet vetëm në gjykatë, mbi bazën e provave dhe procedurave ligjore.
Ajo që evidentohet në këto formate televizive nuk është thjesht një problem etik mediatik, por një praktikë me pasoja reale në jetën e individit, ku persona pa asnjë rol procedural, pa akses në provat e dosjes dhe pa përgjegjësi për pasojat juridike të fjalës së tyre, ndërhyjnë në mënyrë kategorike në një raport që duhet të mbetet ekskluzivisht nën juridiksionin e organeve të drejtësisë.
Për ndërtimin dhe përfaqësimin e akuzës penale, shteti, nëpërmjet taksave të qytetarëve, përfshirë edhe ato të vetë të pandehurit, ka angazhuar një “taborr” të tërë institucional: prokurorë, oficerë të policisë gjyqësore, ekspertë dhe struktura mbështetëse. Shtimi i një “instance” të dytë, informale dhe të pakualifikuar, me funksion de facto akuzues në hapësirën mediatike, krijon një disproporcion të papranueshëm dhe cënon në mënyrë të tërthortë parimin e barazisë së armëve dhe prezumimin e pafajësisë.
Nëse ekziston një interes real publik për transparencë dhe llogaridhënie, ai duhet të kanalizohet me gjithë energjinë e tij drejt mekanizmave që garantojnë integritetin e procesit dhe mbrojtjen e të drejtave themelore të individit, duke i dhënë hapësirë palës më të ekspozuar në proces dhe jo drejt formateve që i rëndojnë më tej këto të drejta, tashmë të cënuara nga ndërhyrja e shtetit. Zgjidhja është e thjeshtë dhe juridikisht e pranueshme: ose hapësirë për komunikim të drejtpërdrejtë me palën e akuzuar, ose hapja e proceseve gjyqësore për publikun, përfshirë transmetimin e tyre live, në përputhje me standardet e procesit të rregullt ligjor.
Drejtësia nuk mund të administrohet në studio televizive. Çdo përpjekje për ta bërë këtë jashtë rregullave të procesit gjyqësor nuk e forcon transparencën por e deformon atë.
Komente










