VLORË- Një sherr mes të rinjve ka ndodhur orët e para të mëngjesit të së dielës në një lokal nate në plazhin e Jalës.

Sipas policisë në konflikt janë përfshirë dy grupe të rinjsh të cilët nuk ishin banorë të zonës, të cilët pasi kishin konsumuar alkool dhe festuar nën shoqërinë e miqve janë konfliktuar me njëri-tjetrit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 2:30-03.00 të mëngjesit në ambientet e një lokali VIP në Jalë që njihet si një nga plazhet më të frekuentuara në vendin tonë. Mësohet se një vajzë është lënduar nga qelqet e thyera, ku pasi ka marrë mjekim është larguar. 

Në videon e publikuar nga JOQ shihet teksa njerëzit po largohen me shpejtësi nga ambienti i lokalit, e ndërsa në shkallë shihen njolla gjaku. Kjo ngjarje është e mbuluar paksa me mister, pasi burime jozyrtare tregojnë për një person të plagosur me armë zjarri e ndërsa një lajm i tillë është mohuar nga punonjësit e lokalit dhe as policia të cilët deklarojnë se nuk janë gjetur gëzhoja.