Platforma Antimafia e PD, ekspertët: Idetë populiste dëmtojnë ekonominë

Platforma Antimafia e PD, ekspertët: Idetë populiste dëmtojnë ekonominë

Zef Preçi dhe Gjergj Buxhuku

Ekspertët e ekonomisë e cilësojnë pozitive platformën antimafia e PD, por ata rreshtojnë një sërë problematikash që duhet të marrin përgjigje. Kreu i Konfindustrias, Gjergj Buxhuku thekson se politika nuk mund të drejtojë gishtin ndaj biznesit, në rast se nuk ka prova të pakundërshtushme. Në këtë linjë shprehet dhe eksperti i ekonomisë, Zef Preçi, i cili kërkon shmangien e ideve populiste ndaj biznesit dhe referim tek ligji.

Platforma e Partisë Demokratike për evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive të krijuara nga kontrata korruptive me shtetin vlerësohet pozitive nga ekspertët por ata vendosin pikëpyetje tek instrumentet që do të vërtetojnë një dyshim. Kreu i Konfindustrias, Gjergj Buxhuku shprehet se duhet kujdes kur akuzohen bizneset.

“Platforma të cilat në mënyrë të drejtpërdrejtë ngrenë probleme, të cilat janë probleme të rëndësishme për ekonominë por edhe demokracinë e vendit, mendoj se janë pozitive. Por ato platforma të cilat drejtojnë gishtin në mënyrë apriori ndaj, qoftë personave publik, aq më shumë ndaj personave privat duhen parë me kujdes”.

Ndërsa eksperti i Ekonomisë, Zef Preçi ka këtë koment për platformën: “Çfarë do lloj ideje populiste që konteston legjitimitetin e aktivitetit të biznesit, të mbështetur në kontrata, të mbështetur në procese të rregullta etj, është shqetësuese, ashtu sikurse është shqetësuese edhe çdo ide për rritje taksash. Në këtë kuptim mendoj që PD dhe çdo palë e interesuar të referojë kuadrin ligjor që është në fuqi, të ofrojë kuadër ligjor tjetër dhe të mos bëj reklamime pa pasur instrumentin legal”.

Kur referon ligjin, kreu i Konfindustrias sjell në vëmendje rrezikun që mund të ketë për shtetin rrëzimi i kontratave të lidhura në bazë të legjislacionit. “Në çdo rast, nëse vërtetohen ose ka dyshime që këtu kemi të bëjmë me dhënie të drejtash, privilegjesh bizneseve të caktuara, ato janë bërë me ligj. Nëse do të themi evidentim dhe sekuestrim, nga ana e shtetit, nga ana e qeverisë, ky është një gabim nga fillimi deri në fund. Po, qeveria ka mundësi dhe duhet të bëjë, duhet të siguroj prova të pakundërshtueshme për të vërtetuar dyshimin e saj por jo në mënyrë të njëanshme të prishi kontrata, kjo pastaj është shkatërrim i sistemit”.

Ndryshe mendon eksperti Preçi, i cili thotë se, partitë opozitare kur vijnë në qeveri nuk zbatojnë premtimet e tyre sa i përket prishjes së kontratave korruptive. “Unë nuk shoh ndonjë rrezik real nga kjo platformë, jo për shkak se opozita nuk ka votat për ti miratuar por për faktin që sjellja politike të opozitave gjatë 20 viteve të fundit ngjan si dy pika ujë, kur janë në opozitë janë luftëtarë të ndershëm e patriot, dhe kur vijnë në pushtet imitojnë ose vazhdojnë aty ku e ka lënë grupi politik qeverisës paraardhës”. Partia Demokratike ka prezantuar disa ditë më parë një platformë ekonomike antimafia që parashikon evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive të personave publikë dhe privatë të përfshirë në afera korruptive.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Gili dhe Redoni tërhiqen nga gara, Egli në lot, ja si reaguan banorët e tjerë

Gili dhe Redoni tërhiqen nga gara, Egli në lot, ja si reaguan banorët e tjerë