Eksperti i ekonomisë, Zef Preçi i ftuar në Report Tv ka folur mbi një raport të INSTAT, sipas të cilit investimet në makineri dhe pajisje janë me rënie ndërmjet 2018 dhe 2023, ndërsa është rritur pesha e investimeve në banesa dhe ndërtesa të reja. I ftuar në emisionin ‘Sot Live në Shqipëri’ me gazetarin Nertil Agalliu, Preçi thotë se ekonomia e vendit tonë ka probleme të rënda strukturore, pasi është e mbështetur nga para të paligjshme e kriminale.
Ekonomia e kullave, sipas Preçit është në rritje edhe pse kërkesa është reduktuar dhe nga ana tjetër kemi një rritje joracionale të çmimeve që s’kanë lidhje me kostot e ndërtimit.
“Ka shumë vite, të paktën 10 ose 15 vite, në të gjitha analizat që i bëhen ekonomisë tonë nga vendas dhe të huaj, theksohet fakti se kjo ekonomi ka probleme të rënda strukturore, është e mbështetur nga burime të përkohshme informale dhe kriminale që pompohen në të. Ndërtimi mund të jetë për momentin sektor kontribuues, siguron 25 apo 30% të të ardhurave të buxhetit të Bashkisë Tiranë, apo siguron mundësi për ca importe, hekur çimento, apo simulon prodhimin vendas të hekurit, u siguron punë qindra punëtorëve por është shumë e diskutueshme ajo që njihet ndryshe si ekonomia e kullave apo llacit. Në të gjitha venet ku sundon ligji zgjerimi i sipërfaqeve urbane lidhet me nevojat e tregut, shtimin e popullsisë, përmirësimin e kushteve të jetesës, zgjerimin e sipërfaqeve të banimit, nevojat për sipërfaqe biznesi, janë mekanizmat që e tërheqin e ekonominë në këtë sektor.
Për fat të keq, e vërteta është se ky sektor vazhdon të jetë sektor me rritje edhe pse kërkesa është reduktuar, edhe pse ka një rritje joracionale të çmimeve që s’kanë lidhje me kostot e ndërtimit dhe taksat që paguhen, apo rritjen e pagave”, tha Preçi.
Eksperti i ekonomisë thotë se ka një uzurpim të sipërfaqeve të përbashkëta.
“Edhe pse për fat të keq ka një uzurpim të sipërfaqeve të përbashkëta në qytet. Është mirë që diskutojmë a ta ndalojmë apo jo TikTok, por fëmijët në Shqipëri s’kanë më as atë oborrin mes pallateve. Nuk po them që sheshe e mjedise ku të luhet nuk ka më. Po shkulen me qindra mijë rrënjë pemë frutore dh e mbillen ca pemë të tjera pastaj dhe ushqehet propaganda me to”, vijoi ai.
Sa i takon rënies së investimeve për makineri dhe pajisje, Preçi shprehet se duhen politika për të mbështetur prodhimin vendas.
“Bota e civilizuar, vendet përreth e kanë simuluar bujqësinë. Tek ne pjesa më e madhe e mbështetjes shkon për të ashtuquajturën menaxhim, ka devijim fondesh për interesa të oligarkëve apo biznesmenëve që s’kanë lidhej me bujqësinë, bllokimi i IPARD është komprometuese për mënyrën se si funksionon ky sektor. Këtu kërkohet vullnet politik, fonde financiare të përdoren për këtë qëllim, që të mos shkojë si nafta për peshkatarët e fermerët. Ilaçi apo medikamenti që e nxjerr këtë situatë është fokusimi në prodhimin vendas, krijimi i kushteve për të punuar çdo metër katror sipërfaqe toke, mbështetësja me kafshë të racës, fara, fidan, mbështetja me teknologji.
Është një situatë zhvillimore e hershme e kapitalizmit. Nga njëra anë mungojnë politikat stimuluese që mbështesin biznesin e agropërpunimit, mekanizmit, biznesin që u shërben produkteve bujqësore. Nga ana tjetër ka elementë të avancuar që lidhen me grumbullimin, e vendosnin fermerin në pozitë të pafavorshme. Kanë nevojë për politika që e harmonizojnë prodhimin, shfrytëzimin e tokës, sistemi fiskal përkatës. Ka nevojë për politika serioze që i japin përparësi fermerit që qartësojnë rrugën prej prodhimin deri te tregtimi. Ne kemi hapje të ekonomisë dhe vetëm me Kosovën bëjmë luftën e patates, ndërkohë s’kemi asnjë politikë që nxit mjaftueshëm prodhimin vendas”, tha Preçi.
Sipas të dhënave zyrtare nga Formimi Bruto i Kapitalit Fiks, pesha e investimeve në sektorin e ndërtimit u zgjerua me 5.7 pikë për qind ndërmjet 2018-2023. Në vitin 2018-n, pesha e ndërtimit në investimet e brendshme ishte 67.7%, ndërsa në vitin 2023 është 73.5%.