Kryeministri Rama: Kryetari i Komisionit të Vlerësimit dhe përgjegjësi i Zyrës Arsimore në Has, në ndjekje penale
Kryeministri Edi Rama vijon të mbledhë kabinetin nëpër qarqe të ndryshme në funksion të monitorimit të shqetësimeve të banorëve. Ai ka bërë të ditur këtë të martë nga Hasi i Kukësit se është hapur një hetim për kryetarin e Komisionit të Vlerësimit në Has dhe se përgjegjësi i Zyrës Arsimore, po në Has, do të dërgohet në Prokurori.
Redaksia 30 Tetor 2018, 16:20 | Përditesimi: 30 Tetor 2018, 22:08
Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur nga qarku verilindor i Kukësit, Has, se është hapur një hetim për kryetarin e Komisionit të Vlerësimit në Has dhe se përgjegjësi i Zyrës Arsimore, po në Has, do të dërgohet në Prokurori.
Duke folur për Platformën e Bashkëqeverisjes, Shqipëriaqëdua.al, Rama deklaroi se ka filluar një hetim administrativ për të gjithë ata zyrtarë që janë bërë pengesë për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve.
Janë shumë zyrtarë që kanë shkuar në ndjekje penale, janë shumë të tjerë janë larguar nga puna, e disa të tjerë janë paralajmëruar për përjashtim nga puna
Kryeministri u shpreh se përmes platformës, 16 mijë probleme të njerëzve që kryesisht janë hasur në Hipotekë, ALUIZN dhe Arsim janë zgjidhur brenda një viti.
“Platforma “shqipëriaqëduam.al” është një mekanizëm efikas, që po fuqizohet dita ditës, falë qytetarëve të cilët adresojnë në të ankesat e tyre. Më vjen mirë të them se platforma në tërësinë e saj ka zgjidhur rreth 16 mijë probleme. Probleme në thonjëza të vogla, të bartura prej muajsh dhe vitesh. Probleme me pensionet, probleme me mbi faturimin, diplomat, probleme nga ata që hera herës kthehen në pamundësi për njerëzit, ku në një zyrë duhet të marrin atë që iu takon ngecin", tha ai.
Ndryshe nga procedura e ndjekur në të kaluarën, ku qytetarët dërgonin një letër nëpër administratat përkatëse, Rama cilësoi se tashmë atyre iu duhet vetëm 3 minuta për të dërguar ankesën përmes një kompjuteri ose një aparati celular.
Pas takimit që pati me banorët e Hasit , Rama iu drejtua Pallatit të Kulturës në Kukës, ku dega e Partisë Demokratike kishte realizuar një protestë nën thirrjet “Rama ik, Rama kriminel”. Megjithatë, takimi me simpatizantët e Partisë Socialiste raportohet se ka vijuar normalisht.