Plator Nesturi: Basha nuk ikën nga beretat e gjelbra të Berishës

Plator Nesturi: Basha nuk ikën nga beretat e gjelbra të Berishës

Lulzim Basha dhe Sali Berisha

Sërish pati inkursion në PD. U bë skenë e përjavshme që Berisha mësyn me shoqëruesit e vet në selinë e PD e duke e vënë në vështirësi të dukshme Bashën. Kësaj rradhe e kish marrë më me nge përderisa organizoi dhe një konferencë për shtyp në zyrat e Bashës pasi shkalloi me shkelm dhe drynin e vënë në derë. Gjithësesi pas çdo spektakli të përjavshëm të mësymjes në PD, Berisha sërish tërhiqet. Duke menduar se kur dhe si ta sulmojë sërish godinën që ia ka lënë tashmë me tapi ish beniaminit të vet. Është një luftë nervash e vazhdueshme që Berisha di ta luajë me mjeshtëri, por që deri tani Basha po e përballon me sukses. Tregues ky se ka mësuar mirë nga ish mjeshtri i vet.

Sidoqoftë, loja cic-mic në oborrin e PD shërben më shumë për të shantazhuar kundërshtarin sesa për të zgjidhur përfundimisht çështjen. Basha nuk mund të ikë nga godina me anë të Beretave të gjelbra të Berishës. Forcat e ndërhyrjes së shpejtë janë për të krijuar panik dhe dëme te kundërshtari, porse beteja nuk mund të arrijë fitoren nëpërmjet tyre. Fitoren e vendos mësymja e masës së madhe të këmbësorisë dhe flamurin e ngre ai ushtari i thjeshtë që vjen nga llogorja e jo ata të ndërhyrjes së shpejtë. Berisha e di këtë dhe thjesht po ngacmon nervat e Bashës se mbase dorëhiqet e braktis godinën. Kjo, pasi masën e madhe të demokratëve mesa duket nuk e ka askush, as Basha e as Berisha. Masa e madhe duket se është e distancuar gjithmonë e më shumë nga të dy të ngjashmit që luftojnë për pushtet e që janë të rrethuar nga shpura klienteliste. Kjo masë nuk mund ta kuptojë dhe as ta pranojë se çfarë ndodhi me PD në

Të dyja palët shkuan me vetëmohim drejt ndarjes, dhe ndonëse nuk është ende zyrtare mund të quhet fakt që PD është ndarë përfundimisht në dy fraksione që do vijojnë të luftojnë me tërbim njëra tjetrën. Një Kuvend dhe paralel me të një Referendum kundër njëri tjetrit, pra kundër të njëjtëve bashkëluftëtarë të dikurshëm e të të njëjtave betejave elektorale janë shumë ngarkesë për një parti. Pas këtyre ngjarjeve ku të secili përjashtoi njëri tjetrin mund të thuhet se data 18 dhjetor shënoi ndarjen përfundimtare. Dhe paradoksi i gjithë kësaj çka ndodhi është që të dyja palët brohoritën fitoren e tyre. Ndarjet zakonisht shoqërohen me dhimbje e lot, por në këtë rast u festua. U festua goditja e palës tjetër si i vetmi triumf pas kaq vitesh dështimi në zgjedhje elektorale.

Se sa e dhimbshme ishte në të vërtetë e gjitha kjo mjafton të kujtojmë se përveç turmave që shoqëronin e brohorisnin secilin lider kundërshtar, pati dhe një masë të madhe të anëtarësisë së PD që nuk u bënë palë me askëd, që gjithshka e shihnin me dëshpërim nga larg si një bufonadë të shëmtuar dhe ndoheshin të pafuqishëm ndërsa vërenin se si partia e tyre po shkërmoqet. Mjafton të shohim shifrat e votimit në Referendum, apo dhe ftohtësinë për kuvendin e Bashës për të parë se kjo masë e dëshpëruar demokratësh ishin në fakt shumica e shumicave. Fatkeqësi ishte fakti që kjo masë kaq e madhe nuk arriti të krijojë një zë të veçantë që të përfaqësojë këtë pjëse që ish më e ftilluara dhe që nuk mund të bëhet kamikaz i askujt.

Është folur shpesh se Foltorja prodhoi një lëvisje dhe frymë të re, se anëtarët gjetën një tribunë për të shprehur verejtjet e tyre dhe kritikat për atë kastë drejtuesë të PD që kujtohej për ta veç në fushuata elektorale për vota. Në të vërtetë, kontrasti midis forumeve dhe anatërsisë nuk mund të quhet një arritje e Berishës. Kontrasti ekzistonte prej kohësh dhe Berisha ishte vetë një nga përgjegjësit e këtij realiteti. Ndaj vështirë se mund të flitet për frymë të re. Mund të etiketohet si qëllim i ri i Berishës ndërsa ndërmorri këtë lëvizje të Foltores. Nëse nuk do të kish një vendim kundër tij pas shpalljes non grata kjo lëvozje as që mund të mendohej dhe kontrasti real që ekziston midis burokracisë së PD dhe anëtarësisë së saj do të vijontë të ekzistonte në heshtje dhe në mugëtirën e indiferencës, qoftë edhe të Berishës. Përsa i përket nismave të papritura për protesta, më së tepërmi kjo i shërben jo për një opozitarizëm të vërtetë ndaj maxhorancës apo nismave rajonale, por si një mundësi për tu faktorizuar dhe për të dhënë imazhin se është ai që mund të grumbullojë e të frymëzojë masat në shesh krahasuar me ish beniaminin e tij Basha. Protesta në vetvete është në sinkron të betejës së tij kundër lidershipit aktual të PD, si mjet për të ushtruar presion se me anë të turmave ai mund të arrijë gjithshka, qoftë edhe marrjen e selisë së PD.

Këto zhvillime po sjellin realitete të reja që duket se do të ndikojnë gjatë. Tashmë në ringun e politikës shqiptare, vetëm PS mbetet konkurent i peshës së rëndë. Të gjithë të tjerët janë tashmë pesha të mesme dhe të vogla. Në këtë mënyrë askush nuk ia rrezikon tani për tani kurorën e kampionit. Ajo çfarë pritet tashmë është se si dhe sa kohë do ti duhet opozitës të ridimensionohet. Por një gjë është fakt, për sa kohë një pjesë e opozitës do të ketë imazhin e Berishës të stampuar, vështirë që të mendohet se zhvillimet do të jenë sipas normave të evolucionit. Nga sot mund të flasim për skenarë gjithfarë llojësh që mund të ndodhin, por vështirë të thuhet se elektorati do të mund të krijojë besim tek kjo opozitë e fragmentarizuar që është sot dhe që mesa duket do ti duhet shumë kohë të kthjellohet. Dhe kjo nuk mund të superohet as nga inkursionet me shqyerje dyersh në PD, dhe as me vendime gjyqësore se kush do të mbajë vulën. Vulëhumbur janë të gjithë që shkatërruan me aq sukses PD-në.

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Meqë Berisha kërkon qeveri teknike me PS, uroj që Rama ta bëj ministër 4 vite

Spahiu: Meqë Berisha kërkon qeveri teknike me PS, uroj që Rama ta bëj ministër 4 vite