Kombëtarja shqiptare dhe përfaqësuesja e Kosovës në futboll, mund të jenë të dyja në vazon e tretë për fazën e “play-off”-it të Botërorit 2026, që do të thotë se nuk do të përballen me njëra-tjetrën në këtë etapë.
Kuqezinjtë dhe Dardanët mund të kenë si kundërshtarë të mundshëm: Çekinë, Hungarinë, Sllovakinë ose Skocinë.
Fushata e kualifikueseve do të përfundojë në nëntor, ndërsa Shqipëria luan muajin e ardhshëm ndeshjet e fundit me Andorrën dhe Anglinë. Pas fitores së rëndësishme me Serbinë (0-1), shanset e kuqezinjve për të arritur në “play-off” janë rritur ndjeshëm, me Anglinë që tashmë është skuadra e kualifikuar direkt. Shqipëria ndodhet në vendin e dytë të Grupit K me 11 pikë, një më shumë se Serbia dhe një fitore me Andorrën mund t’i sigurojë biletën për në fazën pasuese, nëse Serbia nuk fiton ndaj Anglisë.
Kosova gjithashtu është shumë pranë një rezultati historik, duke u pozicionuar në vendin e dytë pas Zvicrës, me 7 pikë. Dhjetë pikë kanë helvetët.
Si funksionon “play-off”-i?
Në këtë fazë marrin pjesë 12 skuadrat e dyta të grupeve kualifikuese dhe 4 fitueset e grupeve të Ligës së Kombeve që nuk janë kualifikuar direkt. Shorti do të ndajë këto 16 skuadra në 4 grupe (A, B, C dhe D), ku fituesit e grupeve do të kualifikohen për Botërorin 2026. Do të luhen dy ndeshje, një gjysmëfinale dhe finalja.
Skuadrat ndahen në 4 vazo për play-off:
Vazo 1: 4 skuadrat e renditura më lart në FIFA nga vendet e dyta të grupeve
Vazo 2: 4 të tjerat nga vendet e dyta me koeficientin më të mirë
Vazo 3: Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Bosnja (me rezultatet e deritanishme dhe koeficienti i UEFA-s)
Vazo 4: katër skuadrat e Ligës së Kombeve (Uellsi, Rumani, Suedi dhe Irlanda e Veriut)
Skuadrat e vazos së parë do të përballen me ato të vazos së katërt, ndërsa skuadrat e vazos së dytë me ato të vazos së tretë. Kështu, Shqipëria dhe Kosova mund të përballen me Çekinë, Hungarinë, Sllovakinë ose Skocinë, por jo me njëra-tjetrën.
Grupi K kualifikues, Botërori 2026
E martë, 14 tetor 2025
Andorra 1-3 Serbia
Letoni 0-5 Angli
Dy ndeshjet e fundit në grup
13 nëntor 2025 - 20:45
Andorra - Shqipëri
Angli - Serbi
16 nëntor 2025 - 18:00
Shqipëri - Angli
Serbi - Letoni
Renditja:

Komente








