'Ethet' e play-off-it të Kupës së Botës 2026 kanë filluar të ndihen në Shqipëri. Kombëtarja e futbollit luan më 26 mars kundër Polonisë në Varshavë dhe një fitore në ndeshjen teke do u jepte djemve të Sylvinhos një shans për të kërkuar fazën finale të Kupës së Botës, teksa do gjendin përballë fituesin e çiftit Ukrainë - Suedi.

Kur na ndajnë 12 ditë nga dueli deçiziv për 'ëndrrën amerikane', mësohet se tanët do luajnë në Varshavë me uniformën e dytë, atë të zezë. Të shumtë kanë qenë ata që e kanë lidhur këtë me disa ndeshje historike që kanë shënjuar sukseset e tanëve në dy fazat finale të Europianëve ku kemi marrë pjesë.

Për shkak se Polonia është pritëse dhe fanella e tyre e parë është e bardhë me shumë nuanca të kuqe, UEFA duket se u ka bërë me dije drejtuesve të FSHF-së (Federatës Shqiptare të Futbollit) se Shqipëria nuk mund të përdorë uniformën e parë, atë kuqezi, apo edhe atë të bardhë. Me dy nga tre mundësitë 'e djegura', tanët në Varshavë do luajnë me fanellën e transfertave, atë të zezë.

Pak ditë më parë FSHF prezantoi fanellat e reja për këtë sezon, teksa uniforma e zezë kishte një detaj të veçantë; ishte e rrethuar me shumë lule zambaku (në disa raste mund të merren edhe si trëndafila), simbol që ndodhet edhe në përkrenaren e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeut dhe është një lule që tradicionalisht përfaqëson fisnikërinë dhe nderin.

Prej më shumë se dhjetë vitesh Kombëtarja e ka pasur 'fat' fanellën e zezë, duke bërë disa nga arritjet më të rëndësishme e veshur me të në fushë.

Në vitin 2015, me uniformën e zezë të veshur, Shqipëria fitoi në transfertën ndaj Armenisë (0-3), duke siguruar kualifikimin e parë historik në Europian, atë të 'Francë 2016'.

Në Euro 2016, fitorja e vetme ndaj Rumanisë (1-0) u arrit po me fanellën e zezë, me golin e Armando Sadikut.

Më vonë, në Moldavi (1-1) u sigurua kualifikimi i dytë historik për Europianin 2024 (17 nëntor 2023), po me fanellën e zezë.

Në Euro 2024, barazimi 2-2 kundër Kroacisë ishte një tjetër moment i veçantë, gjithashtu veshur me uniformën e zezë.

Uniforma e zezë e Kombëtares