Federata Shqiptare e Futbollit njofton të gjithë tifozët se është hapur procesi i aplikimit për shortin e biletave për ndeshjen Poloni – Shqipëri, e vlefshme për fazën play-off të Kampionatit Botëror 2026, që do të luhet më 26 mars në Varshavë.
Të gjithë të interesuarit mund të aplikojnë përmes linkut Shorti për aplikimin e biletave Poloni – Shqipëri, duke ndjekur të njëjtën procedurë si për blerjet e mëparshme online. Një biletë në sektorin e tifozëve të Shqipërisë kushton 4200 lekë (të rinj).
Si të aplikoni:
Të gjithë tifozët që dëshirojnë të aplikojnë duhet të regjistrohen paraprakisht në platformë duke krijuar një llogari personale ose duke përdorur një llogari ekzistuese. Çdo individ do të ketë mundësi të aplikojë vetëm për dy bileta, pa mundësi për të kërkuar më pak apo më shumë.
Afatet dhe procesi i përzgjedhjes:
Procesi i aplikimit do të jetë i hapur për një periudhë 48 orë. Pas përfundimit të kësaj periudhe, sistemi do të përzgjedhë në mënyrë rastësore aplikantët fitues.
Blerja dhe marrja e biletave:
Aplikantët e përzgjedhur do të njoftohen përmes email-it, ku do të marrin një link të personalizuar për të përfunduar pagesën e biletave.
Pagesa duhet të kryhet brenda 24 orëve nga momenti i marrjes së njoftimit.
Pas përfundimit të pagesës, tifozët fitues do të marrin një link përkatës për të aksesuar biletat e tyre. Biletat do të jenë të disponueshme për shkarkim në aplikacionin zyrtar “Mobilny System Biletowy”.
Kapaciteti dhe frika nga huliganët
Në një stadium me 58 mijë e 580 ulëse, tifozët e Shqipërisë do kenë vetëm 3 mijë bileta në dispozicion, kjo sipas rregullave të UEFA-s që i jep tifozëve miq vetëm 5 përqind të kapacitetit të stadiumit. Paçka përpjekjeve për të rritur këtë numër edhe në bashkëpunim me palën polake, diçka e tillë nuk është mundësuar.
Në Varshavë pritet që në tribunat e vendasve, mes tifozëve polakë të ketë edhe shqiptarë që mund të sigurojnë një biletë në forma të ndryshme, ndërsa është ngritur alarmi për përplasje të mundshme nëse një gjë e tillë ndodh, pasi polakët njihen për grupet huligane të tifozëve.
Të enjten e 26 marsit në orën 20:45 Shqipëria luan kundër Polonisë në Varshavë, sfidë e cila vlen për play-off-in e Kupës së Botës 2026.
Komente









