Plehrat, Basha kritikon Berishën:
Gabuam në 2011, tani referendum

Plehrat, Basha kritikon Berishën:<br />Gabuam në 2011, tani referendum
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka artikuluar kritikën e parë publike ndaj paraardhësit të tij, Sali Berisha. Lulzim Basha e ka konsideruar të gabuar vendimin e Partisë Demokratike, në vitin 2011, i cili i hapi rrugë importit të plehrave, ndonëse Basha ishte pjesë e saj qeveria dhe mbrojtës i ligjit. Megjithatë, Basha tha se tashmë ka një reflektim të opozitës për këtë çështje, duke u pozicionuar kundër ligjit të fundit të qeverisë “Rama”.

Atë që mund t’ju them është se unë personalisht kam reflektuar për vendimin e marrë dhe ju them se nëse do të isha para këtij vendimi, vendimi do të ishte negativ. Përse? Rrethanat e diktojnë këtë. Një vend që shpall prioritet turizmin nuk mund të ketë prioritet në të njëjtën kohë importimin e mbetjeve. Duhet zgjedhje. Duhet të zgjedhim akoma më shumë kur strukturat tona shtetërore, vetë shteti ligjor, policia, doganat, gjyqësori, qeveria janë lehtësisht të korruptueshme apo të paafta apo të dobëta për ti bërë ballë presioneve të jashtëzakonshme që vijnë nga grupe të fuqishme të interesit siç është mafia ndërkombëtare e plehrave”, tha Basha.

Sipas tij, mbledhja e 64 mijë firma kundër plehrave asokohe ishte një kambanë alarmi. “Pra po, ka një evoluim të qëndrimit të Partisë Demokratike dhe ka një reflektim timin personal në këtë drejtim. Ne besuam në atë moment se po vepronim në favor të interesit publik. Ngritja e mbi 64 mijë qytetarëve në këmbë ishte pa dyshim një kambanë, një zile zgjimi për ne. Fakti që ne pranuam referendum, dekretuam referendumin ishte po kështu një shenjë e qartë se vendosëm të dëgjojmë zërin e qytetarëve”, deklaroi Basha.

Referendumi
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka kërkuar nisjen e procedurave për një referendum popullor, për ndalimin apo importimin e mbetjeve në Shqipëri. “Ndaj për këtë qëllim ne po studiojmë edhe ushtrimin e të drejtës tonë, të drejtës parlamentare për të kërkuar Kuvendit që të miratojë një referendum për ndalimin e importit të plehrave. Kërkesë që kërkon nismën e 28 deputetëve dhe pastaj miratimin e  Kuvendit. Duhet të bëj  një sqarim të rëndësishëm. Bashkimi Europian vendos standardet e menaxhimit të plehrave dhe mbetjeve brenda vendit por Bashkimi Europian nuk vendos kushtet apo detyrimet që një vend duhet patjetër të marrë plehra nga një vend tjetër. Kjo është një gënjeshtër e pastër që Edi Rama iu bën qytetarëve shqiptarë”, tha Basha.

Thirrja për Presidentin
Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, i ka bërë thirrje kreut të shtetit të mos e dekretojë ligjin e plehrave. “Do të hedhim hapat tonë duke kërkuar Presidentit të Republikës mos dekretimin e këtij projektligji dhe kthimin e tij në Kuvend. Do të bëjmë gjithçka që grupi ynë parlamentar ka në dorë për të penguar kalimin e këtij ligji për herë të dytë në Kuvend. Do të shikojmë të gjithë hapësirën kushtetuese dhe rolin që deputetët tanë mund të luajnë brenda kësaj hapësire kushtetuese, për t’i dhënë qytetarëve një mundësi për tu shprehur. Sepse zëri i qytetarëve në këtë çështje duhet dhe do të dëgjohet”, tha Basha.

Katastrofa
Kryetari i opozitës Lulzim Basha zbatimi i ligjit për plehrat mund të sjellë një katastrofë kombëtare. “Sot në Shqipëri qeveria nuk garanton dot as cilësinë e produkteve ushqimore që importon. Ndërkohë nga ana tjetër në shumë vende, fqinje dhe të huaja kanë një situatë emergjente në lidhje me mbetjet e rrezikshme dhe të parrezikshme dhe ka interesa të mëdha për të larguar mbetjet nga këto vende drejt vendeve të tjera. Kjo do të thotë që me miratimin e këtij ligji Shqipëria është kthyer drejtpërdrejtë në shënjestër të të gjithëve për të sjellë plehra këtu, mbetje të rrezikshme dhe të parrezikshme, përfshi këtu shënjestrën e grupeve kriminale ndërkombëtare, asaj që njihet si mafia ndërkombëtare e plehrave. Ndaj rruga e vetme për t’i prerë rrugën një katastrofe kombëtare është ndalimi i importit të mbetjeve. Në këtë kuadër ne do të bëjmë gjithçka në aleanca me qytetarët që kjo çështje të mbyllet një herë e mirë”, thuhet në reagimin e Bashës.

Për ricikliuesit
Kreu i PD kishte një mesazh edhe për ricikluesit. “Dua të them se nuk kemi gjë me ricikluesit shqiptarë. E dimë që ricikluesve shqiptarë ju është rënë në qafë padrejtësisht dhe u çuan në zgrip të falimentimit, disa prej tyre falimentuan. Por dua tu them se ligji sot nuk po vjen për ju. Nuk vjen as për të ringjallur industrinë e falimentuar të riciklimit, as për të krijuar vende pune. Vjen për interesa mafioze të Edi Ramës, Damian Gjiknurit, Arben Ahmetajt dhe mafies ndërkombëtare të plehrave. Dhe kjo meriton ndaljen me çdo kusht, me çdo çmim të këtij ligji dhe efekteve shkatërruese dhe helmuese që kanë për Shqipërinë, për shqiptarët, për çdo qytetar shqiptar, për fëmijët tanë dhe për brezat që do të vijnë”, tha Basha.
 
Reflektimi
“Atë që mund t’ju them është se unë personalisht kam reflektuar për vendimin e marrë dhe ju them se nëse do të isha para këtij vendimi, vendimi do të ishte negativ. Përse? Rrethanat e diktojnë këtë”.
 
Basha
“Ndaj rruga e vetme për t’i prerë rrugën një katastrofe kombëtare është ndalimi i importit të mbetjeve. Në këtë kuadër ne do të bëjmë gjithçka në aleanca me qytetarët që kjo çështje të mbyllet një herë e mirë”.
 
Mungesa e besimit
Kreu i PD ka shprehur mungesën e thellë të besimit sa i takon kontrollit të mbetjeve në Portin e Durrësit. “Sot kur kryeministri mburret se do ta kalojë vetëm nga porti i Durrësit, po a nuk është porti i Durrësit ku kaloi makina e Emiliano Shullazit e blinduar dhe me armë dhe askush nuk ngriti gishtin? A nuk është porti i Durrësit nga nisen tonelatat e drogës për në BE?! Në kushtet e sotme kur qeveria ia ka dorëzuar kontrollin e territorit mafias së drogës dhe kriminelëve me të cilët bashkëqeveris, me kushtet ku ndërtohen pista avionësh, aerodromë droge, është akoma më emergjente ndalimi i këtij ligji. Ndaj qëndrimi që kemi sot, është edhe qëndrimi që Partia Demokratike do të mbajë nesër si mazhorancë, ndalim total të importit të plehrave”, ka deklaruar Basha.
 


Redaksia Online
XH.K/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Djegin karriget dhe sende drejt Spiropalit, si e vlerësoni aksionin e PD?



×

Lajmi i fundit

‘Moodi im pas një tjetër procedimi penal’, Kryemadhi shfaqet duke kërcyer në pishinë: Nuk mu ndanë sa majtas djathtas

‘Moodi im pas një tjetër procedimi penal’, Kryemadhi shfaqet duke kërcyer në pishinë: Nuk mu ndanë sa majtas djathtas