Përfaqësues të Bashkisë së Pogradecit u ftuan në Austri përmes Ambasadës Shqiptare në Vjenë, në një vizitë që u zhvillua larg ceremonive formale dhe me synim bashkëpunime konkrete mes 2 qyteteve.

Në Eisenstadt, kryeqytetin e Burgenlandit, palët ranë dakord të nisin një partneritet mes bashkive. Në tryezë u vunë çështje praktike: si funksionon administrata vendore, lëvizja urbane, mjedisi dhe projektet europiane. Ideja, sipas burimeve të delegacionit, është që marrëdhënia të mos mbetet në letër.

Vizita vijoi në Graz, ku delegacioni u prit në godinën e qeverisjes së landit Steiermark. Diskutimet u përqendruan te bashkëpunimi mes Pogradecit dhe Leobenit, me theks te shkëmbimet institucionale dhe përvoja konkrete të qeverisjes vendore.

Por ndalesa më e fortë simbolike erdhi pak metra larg qendrës së Grazit. Në godinën ku nga viti 1927 deri më 1934 kishte jetuar Llazar Sotir Gusho ose Lasgush Poradeci, u zbulua një pllakë përkujtimore me emrin e poetit.

Pllaka përkujtimore në nder të Lasgush Poradecit

Lasgushi kishte ardhur në Graz si student dhe aty mori doktoraturën, përpara se të kthehej në një nga figurat më të rëndësishme të poezisë shqiptare. Pllaka u vendos pas një procesi të gjatë miratimesh në institucionet vendore austriake dhe me dakordësinë e pronarit të godinës.

Në ceremoni morën pjesë kryetarja e Bashkisë së Grazit, ambasadori shqiptar në Austri Fate Velaj, zv/kryetari i Bashkisë së Pogradecit Paskalino Ziko dhe përfaqësues të tjerë lokalë.

“Disa ngjarje në histori nuk vijnë nga rastësia. Historia i thërret vetë ato. Unë jam mirënjohës qytetit të Graz-it që i hapi dyert djalit tonë, i cili u kthye në eksportin më të rëndësishëm të kohës në Austri, si dhe sot kryetares së Bashkisë së Graz-it që e mundësoi këtë përkujtim të tij. Së fundmi më duhet të them se ky qytet ka qenë krahëhapur jo vetëm për Lasgush Poradecin, por edhe për një brez të tërë shqiptarësh që erdhën pas viteve 1991 dhe që sot janë pasqyra e ndriçuar e vlerave më të mira të vendit tim, vlera që, në thelb, Lasgushi i shpalosi i pari" tha ambasadori Velaj

Vizita në Austri u mbyll me mesazhin se përtej emigracionit të viteve ’90, shqiptarët kanë qenë të pranishëm në historinë kulturore europiane shumë më herët, dhe Graz-i mbetet një nga qytetet ku kjo histori ka lënë gjurmë të qarta.