Fjalimi i Kryetarit te PLSHR, Edmond Vlashaj mbajtur ne takimin e perjavshem me kandidatë dhe simpatizantë të PLSHR

"Shteti në Shqipërinë e Re nuk ka pse të rrijë vendnumëro veç në pozitën e rregullatorit. Si rregullator që rri e pret, si spektator që pasi të ketë ndodhur rrokopuja, të vihet në lëvizje me gjithë avashllëkun dhe rehatllëkun e vet, për të rregulluar në nakatosje, atë çka mund të rregullojë në rrokullisje e sipër të problemeve dhe problematikave.
 
Shteti në Shqipërinë e Re është shteti që shpërndan pushtet, është shteti që përfshin maksimalisht njerëzit në qeverisjen e vendit, si në sferën ekonomike, në rrafshin social dhe në të gjitha institucionet shtetërore ku prodhohen dhe ofrohen shërbime të dobishme për qytetarët.

Shteti në Shqipërinë e Re duhet të jetë shteti që merr përsipër krijimin e perspektivës për qytetarët e tij, duke qenë proaktiv në ndërtimin e aleancave të nevojshme me botën e sipërmarrjes vendase dhe të huaj, me botën akademike dhe të kërkimit shkencor, në mënyrë që populli të ketë mundësinë e shfrytëzimit të teknologjive dhe ideve inovative, që rrisin mirëqenien dhe garantojnë qëndrueshmëri ekonomike dhe sociale.

Shteti në Shqipërinë e Re është shteti që garanton të drejtat dhe liritë e qytetarëve, nëpërmjet një policie të fortë e të disiplinuar në ligj, nëpërmjet xhandarmërisë së pathyeshme, por të mbrujtur në ligj, nëpërmjet sistemit të drejtësisë ku ka përfshirje totale të publikut në verifikueshmërinë dhe transparencën totale të këtij sistemi.


vlashaj
Shteti në Shqipërinë e Re është shteti që investon në projekte të vogla që përfshijnë numrin më të madh të njerëzve në mundësi punësimi e mirëqenieje sa më të drejtë e proporcionale, është shteti që shkurton në maksimum distancën mes të pasurve dhe të varfërve, është shteti që mbron dhe fuqizon të varfërit, njerëzit pa përkrahje dhe pa mbështetje.

Shteti i ri në Shqipërinë e Re është shteti pa korrupsion, plot me solidaritet, i zhvilluar dhe i begatë në drejtësi, në mundësi dhe shanse të barabarta për të gjithë shqiptarët pa dallim. Drejtësi dhe Zhvillim për Shqipërinë e Re, me PLSHR!

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)