TIRANE- Deputeti demokrat Dashnor Sula deklaroi dje në një prononcim për tv Vizion Plus se ishte gati të dorëzonte mandatin nëse vërtetohej se kishte qëlluar me armë në ndeshjen Shkumbini-Flamurtari.

Ndeshja u zhvillua të shtunën në Peqin dhe përfundoi me rezultatin 1-0, ndërsa goli për Shkumbinin u shënua nga pika e bardhë e penalltisë në minutën e 58’.
Dashnor Sula sponsor i sport klub Shkumbinit duke këmbëngulur se është i pavërtetë lajmi se ai ka qëlluar me armë përpara dhe në pushim të ndeshjes Shkumbini-Flamurtari shton se madje as nuk ka ofenduar asnjë lojtar të Flamurtarit, apo zyrtar të ndeshjes.

“Sigurisht ka pasur festë sepse bashkia ka organizuar fishekzjarre, ka pasur organizim nga tifozeria, por në mënyrë kategorike nuk ka pasur të shtëna armësh aq më tepër që është vënë gishti tek unë dhe për më tepër unë e kam aq burrëri për të pranuar diçka të tillë por nuk ka qenë dhe në mënyrë absolute. Jo vetëm nuk kam përdorur pistoletën por nuk kam përdorur një fjalë fyese ndaj arbitrave, apo lojtarëve të Flamurtarit. Unë them sinqerisht se nëse del vetëm një person që të drejtojë gishtin ndaj meje dhe të thotë që unë kam ofenduar futbollistat apo fyer një person të vetëm unë ju them se jo vetëm nuk shkel më në stadium por jap dorëheqjen edhe si deputet.”- ka thënë deputeti Sula për Vizion Plus. Ai mendon se “segmente të caktuara të medias apo kundërshtarët e mi politikë japin ngjyra të tilla politike duke ditur fuqinë time në atë qytet.”

BRACE: SULA TE HETOHET PENALISHT

Partia Socialiste kërkoi dje që deputeti demokrat i Qarkut të Elbasanit të jepte dorëheqjen. Pas qëndrimit të kreut të PS-se, sipas të cilit një deputet qëllon me armë në stadium vetëm nën qeverisjen e demokratëve dhe deklarimit nga selia rozë e deputetit Fidel Ylli, ka reaguar dhe nënkryetari i grupit Parlamentar Erjon Braçe. Ai replikoi online me qëndrimin e Fidel Yllit pasi sipas tij PS nuk i lejohet të habitet por duhet të çojë për ndjekje penale Dashnor Sulën.

“PS është shumë e habitur që deputeti Dashnor Sula ka qëlluar me armë në stadiumin e Peqinit! Madje PS eshte shume e habitur qe kryeministri, kryetarja e kuvendit nuk e therrasin deputetin Dashnor Sula e ti terheqin vemendjen!
madje-madje PS eshte akoma me e habitur qe Ministri i Kultures paska thene qe deputeti Dashnor Sula paska qelluar me fisheke manover!
Po mire, cfare eshte ky? qendrim politik? ketu paskemi arritur, tek habia?
Si ka mundesi qe tani kemi filluar te artikulojme habi dhe jo qendrim publik e politik?
Dashnor Sula duhet te hetohet penalisht!
Gjithcka qe ka bere ne stadiumin e Peqinit shkon nga kundervajtje penale ne krim penal!
krimi nuk ndeshkohet me "habi"!”- shkruante dje Erjon Braçe në profilin e tij në facebook.”

PRECEDENTI
Për të disatën herë me radhë, deputeti i PD-së, Dashnor Sula, është bërë protagonist i dhunës në futbollin shqiptar. Pak kohë më parë gjatë ndeshjes Shkumbini-Laçi, Sula i është lëshuar arbitrit Albano Janku, të cilin ka tentuar që ta godasë me grusht, por që për fat, punonjësit e policisë kanë reaguar në kohë dhe kanë shmangur dhunimin e arbitrit. Ky nuk është rasti i parë që përfaqësues të Federatës Shqiptare dhe arbitrat të kërcënohen, me qëllim favorizimin e skuadrës së Shkumbinit gjatë zhvillimit të lojës sportive. Në vitin 2010, pikërisht në këtë fushë futbolli, kryebashkiaku i Peqinit Ilir Rushaj ka rrahur ish-trajnerin e Kavajës Shpëtim Duro. Ky i fundit iu drejtua me një kallëzim penal prokurorisë së Elbasanit, por më pas mendohet se ndryshoi thënie dhe çështja u pushua.
(sg/shqiptarja.com)