Një nga të arrestuarit në procesin “Plumbi i Artë”, Asllan Plaku, u ankua gjatë seancës gjyqësore këtë të enjte, për transferimin e tij nga burgu i Durrësit, në atë të Burrelit.

Ky transferim, sipas të pandehurit, vështirëson ardhjen në çdo seancë, pasi janë dy orë rrugë.

“Më fusin në ato furgonët zhul. Javës tjetër më çojnë në Drenovë Dua të më transferojnë sërish aty ku kam qenë në Durrës”, u shpreh Asllan Plaku para togave të zeza.

Ai pretendoi se ende nuk ka dosjen, element ky që i vështirëson mbrojtjen, ndërsa shtoi se avokatin që i kanë caktuar, nuk e njeh.

Prokurori Behar Dibra dhe gjykata thanë se pretendimet e tij i dëgjojnë për herë të parë në sallë, dhe se ato do të verifikohen.

Pjesë nga diskutimet në seancën e Plumbit të Artë

Asllan Plaku: Ti marrësh të gjithë nga burgu, nëse ka ndonjë tendencë nga shefat e policisë. Nuk e di ça kanë, duan të arrijnë atë që duan, por me mua nuk ju ecën. Transferimi në Burrel vështirëson ardhjen time në çdo seancë, janë dy orë rrugë, më fusin në ato furgonët zhul, dua të ndjek çdo seancë. Ma kanë argumentuar lëvizjen sikur kam bërë kundërshtime. Do kem gjyqe, nëse vjen dokument nuk e firmos, nuk dua të më përfaqësojë asnjë avokat pa firmën time, kushti është që të më transferojnë sërish aty ku kam qenë në Durrës. Javës tjetër më çojnë në Drenovë. O prokuror e di se kush e bën dhe pse e bën, por nuk kanë me arrit gjë. Dua të kërkoj dëshmitarë, por nuk kam dosje, më vështirëson mbrojtjen, avokatin që më kanë caktuar nuk e njoh fare. Avokatët s’dua të më përfaqësojnë pa praninë time, nëse nuk më çojnë aty ku isha. Duan të marr në qafë njerëz pa lidhje. Dua të largohem dhe nuk dua të më përfaqësojë njeri pa praninë time, po më bini në qafë kot, s’më detyroni dot me zor.

Prokurori Behar Dibra: këto pretendime do i verifikojmë, tani vihemi në dijeni, nuk kemi qenë në dijeni. Do shohim arsyet e transferimit, nëse ka të bëjë me sjelljet tuaja, do verifikojmë pretendimet dhe do gjejmë zgjidhje. Drejtoria e Burgjeve është institucion më vete. Ti je këtu s’ke pse ikën, do bëhesh shkas për zvarritje e shtyrje gjykimi

Asllan Plaku: Këtë seancë po qëndroj, por nuk ndodh më

Gjykata: Do marrim masa dhe të shohim çdo mundësi tjetër, tani kur jemi në kushte kur nuk kemi asnjë informacion nuk vendosim asgjë