TIRANË- Mbrëmjen e djeshme policia rrugore i ka hequr patentën djalit të Sali Berishës, Shkëlzen Berisha dhe moderatorit Ermal Mamaqi, në dy raste të ndryshme.

Berisha dhe Mamaqi po lëviznin me shpejtësi tej normave të lejuara mbrëmjen djeshme te Tegu, e për pasojë u është hequr patenta.

Burime për Report Tv bëjnë me dije se Shkëlzen Berisha po lëvizte me shpejtësi 128 km/h me një makinë tip Benz S320. 

Si Mamaqit dhe Berishës do t’i duhet të paraqiten në komision ku pritet të merret vendimi për heqjen e patentës si dhe gjobë administrative.

Në lidhje me rastin ka reaguar vetë Shkëlzen Berisha, i cili ka pranuar ngjarjen.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:38
Heqja e patentës së Shkëlzen Berishës dhe Ermal Mamaqit/ Ironia e Braçes: S'i do njeri të famshmit! Do ikin në Gjermani tani

Ironik ka qenë në reagimin e tij, zv. kryeministri  Erion Braçe lidhur me lajmin e heqjes së patentave të Shkëlzen Berishën dhe moderatorit Ermal Mamaqi. Si për të treguar që për policinë shqiptare, të gjithë janë të barabartë, Braçe bën ironi duke folur siç do të fliste opozita.

"Pa fjalë! Nuk i do njeri njerëzit e famshëm në këtë vend! Do ikin në Gjermani tani", shkruan Braçe, teksa ka publikuar lajmin e Shqiptarja.com.

Postimi i zv. kryeministrit Erion Braçe
Ora 13:29
Iu hoq patenta për shpejtësi të lartë/ Shkëlzen Berisha: Kërkoj ndjesë! Nuk kam kundërshtuar policinë

Shkëlzen Berisha konfirmon lajmin se i është hequr patenta për shpejtësi tej normave të lejuara, dhe për këtë ka një ndjesë publike. Megjithatë, ai thekson se nuk ka kundërshtuar në asnjë moment policinë.

"Të dashur miq së pari me duhet ta nis me një ndjese për kalimin e shpejtësisë së lejuar sepse ajo kërcënon jetën e të gjithëve. Se dyti, në lidhje me një shpifje të shpërndarë sot nga media pranë qeverise dëshiroj të sqaroj se për asnjë moment dhe në asnjë rrethanë, asnjë procedurë ligjore apo punonjës i rendit nuk është kundërshtuar nga unë gjatë ushtrimit të detyrës. Dokumenti i kërkuar në zbatim të ligjit është dorëzuar po në zbatim të ligjit, pa asnjë lloj debati, kundërshtimi apo refuzimi. Nëse do ishte ndryshe sot në vend të shpifjeve të mediave pranë qeverisë do duhej të kishim një padi nga ana e policisë për kundërshtim të saj gjatë ushtrimit të detyrës. Por në vend të akuzës kemi shpifjen, sepse e para kërkon prova ndërsa e dyta vetëm leket e atyre që e sponsorizojnë", shkruan Shkëlzen Berisha.