Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur deputetit Bujar Leskaj, i cili akuzoi se Sheshi i Flamurit në Vlorë po 'gllabërohet' për të ndërtuar terminal autobusësh. Me një postim në Twitter, Rama ironizon, teksa shkruan se "Foltorexhinjve u duket kolonata si stacion autobusësh". Për Ramën, po Sheshi i Flamurit do të jetë "një tjetër spektakël urban në Vlorën e Rilindur".

"Më thonë qenkan revoltuar foltorexhinjtë e Vlorës se dashkan transparencë për projektin e Sheshit të Flamurit! U duket kolonata si stacion autobuzësh e duan shembjen e hotelit të tyre fantazëm, që arkitekti i famshëm belg e kthen në qendrën më të madhe social-kulturore të vendit! Nuk u ve faj se as nuk dinë as nuk bëjnë dot gjë tjetër përveç përshesheve me baltë, po Sheshi i Flamurit do të jetë një tjetër spektakël urban në Vlorën e Rilindur, që mezi pres ta shoh të realizuar megjithë qendrën social-kulturore, e cila do t'i japë Vlorës një përmasë të re!", shkruan Rama.

Ditën e djeshme, Leskaj shkroi në Facebook se gjysma e 'Sheshit të Flamurit' po 'gllabërohet nga sekti Rama'.

"Gllabërimi i Sheshit të Flamurit nga sekti Rama. Ju (qeveria) jeni identifikuar dhe vazhdoni si qeveri fasadash. Si qeveri që paranë publike po e përdorni jo në përputhje me parimet e efiçencës, efektivitetit dhe ekonomicitetit të mirë. Shembulli më i keq, shembulli më flagrant ku ju i keni shpenzuar këto para për fasada dhe për politika të mbrapshta është në Vlorë, ku të paktën tre sheshe: Sheshi i Skelës në të cilën ndodhej përmendorja e Atit të Kombit, Ismail Qemal Vlorës, sheshi i Flamurit që është shesh unik, shesh historik i kombit shqiptar dhe sheshi përpara bashkisë nga shpenzimet tuaja të panevojshme në vlerën rreth 15 milionë euro, rezultojnë sheshe ku qytetarët shqiptarë veç asaj urrejtjes suaj, urrejtjes së kryetarit të sektit ndaj Historisë, ndaj Ismail Qemalit, mund të shikojnë edhe se si keqpërdoren paratë shqiptare. Për më tepër, për më keq dhe, për këtë ju ftoj të gjithë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, të majtë e të djathtë, të vini në Vlorë, të vizitoni Vlorën, të shikoni Sheshin e Flamurit si po gllabërohet gjysma e këtij Sheshi historik nga sekti Rama. Përse? Për të ndërtuar një terminal autobusësh!", shkroi ai.

Para një viti Rama sqaroi elementët historik të këtij sheshi, që me përfundimin e këtij investimi do të nxjerrin më në pah vlerat që mbartin.

“Sigurisht është pjesa e trashëgimisë në ato godina që i takojnë një periudhe historike përpara luftës, është pjesa që ka të bëjë me atë zonën arkeologjike në shesh, është pjesa që ka të bëjë me varrin e Ismail Qemalit, me monumentin e pavarësisë dhe me varrezat e dëshmorë që janë në anën tjetër dhe që me këtë formatim ekzistues të sheshit janë pak të spostuar nga pjesëmarrja si duhet në atë kompleks dhe është edhe ai instalimi aty i atyre 4 topave të famshëm të 4 vilajeteve”.

Ai sqaroi se, “projekti i ri jo vetëm që i ruan, por edhe i nxjerr në pah më bukur duke shtuar edhe të tjerë elementë që nga tapeti i kuq i gurit apo i mermerit tek ai tempulli aty që do shërbejë edhe si një strehë për aktivitete të ndryshme por edhe si një zonë për të pasur në fundjave sic e kanë shumë qendrat historike të Europës atë tregun e produkteve të zonës që hapet në fundjavë dhe më pas largohet”.

“Sigurisht që që do të pasurohet edhe me një element tjetër që deri sot ka qenë problem më i madh i atij sheshi, që është ajo karabinaja e Sulos të cilën ne e kemi future në procedurë shpronësimi për të prerë kullën që do të asgjësohet dhe për të transformuar të gjithë pjesën tjetër që është pjesa tre katëshe, në një qendër publike e cila do të ketë funksione të ndryshme duke ju ofruar hapësira të gjitha moshave me një bërthamë të rrjetit që ne kemi filluar të ngrejmë, duke filluar nga Tirana, Korça do ta fillojë së shpejti, të inovacionit digjital që do t’i shërbejë të rinjve për të marrë kurse intensive të praktikave digjitale, për të mësuar kodimin rrugët se si mund të përfshihen në tregun global të punës online gjë që është e ardhmja për të rinjtë në aspektin e punësimit ku krijohet mundësia pa lëvizur nga vendi, nga qyteti apo fshati ku je. Mjafton të kesh akses në internet dhe ti vetëpunësohesh duke dhënë shërbime për të tretët në një treg që sot që flasim ka 2.4 milionë vende të lira pune për të gjithë të rinjtë e globit që duhan të përfshihen dhe që zotërojnë këtë aftësi”, deklaroi Rama.