Dy persona janë arrestuar në Tiranë teksa u panë duke shkëmbyer kokainë. 19-vjeçari Darlin Shahinasi u kap në flagrancë teksa po i dorëzonte Donald Frates një çantë me 211 gramë kokainë.
Prej të paktën 2 muajsh, Antidroga e Tiranës ishte në ndjekje të dy të rinjve me metoda proaktive. 26-vjeçari dyshohet se ishte furnizues i kokainës që sigurohej në Elbasan dhe ishte i punësuar si menaxher në një lokal që frekuentohet kryesisht nga të rinjtë vend që dyshohet se e përdorte për të shpërndarë drogë.
Për të kryer operacionin, Antidroga kreu blerje me stimulim. Furnizuesit kishin kërkuar 8500 euro për 250 gramë kokainë. 19-vjeçari ishte shpërndarësi.
Në banesë, Shahinasit iu gjendën edhe 41 gramë të tjera kokainë. Lënda narkotike është sekuestruar bashkë me një makinë tip “BMW” dhe 3 celularë.
Njoftimi:
Goditet në flagrancë, një rast i shitblerjes së drogave të forta.
Arrestohen në rrugën “Egnantia”, të dy shtetasit e përfshirë në këtë rast.
Sekuestrohen 252 gramë lëndë narkotike Kokainë, 1 automjet tip “BMW” dhe 3 celularë.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, si rezultat i administrimit të shpejtë të një informacioni të siguruar në rrugë operative, për përfshirjen e 2 shtetasve në veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, finalizuan operacionin e koduar “Momenti”, gjatë të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit D. Sh., 19 vjeç dhe D. F., 26 vjeç.
19-vjeçari u kap në flagrancë në rrugën “Egnantia”, duke i dorëzuar 26-vjeçarit, një çantë me 211 gramë lëndë të dyshuar narkotike Kokainë. Më tej, nga kontrolli i banesës i 19-vjeçarit, u sekuestruan 41 gramë të tjerë të kësaj lënde.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.









Komente
Komento