Partia Demokratike ka akuzuar sërish se qeveria po jep me koncesion Terminalin e Kontenierëve në Durrës një kompanie offshore. Kreu i degës së PD në këtë qytet, Ferdinand Xhaferraj kërkoi që Rama të japë përgjigje se cila është kompania që do i jepet me koncesion Terminali i Kontenierëve, ndërsa i kërkoi SPAK-ut që të nisë hetimet për përfituesit fundorë të konçensionit.

“Është e disata herë që Partia Demokratike nga porti i Durrësit dhe për Portin e Durrësit ka denoncuar skandale të kësaj qeverie lidhur me këtë aferë korruptive. Porti i Durrësit është një aset ekonomik që po të shfrytëzohet si duhet mund të shërbente për të përmirësuar jetën e shumë familjeve të Durrësit dhe gjithë Shqipërisë. Por sikurse ne kemi ekspozuar me fakte, nuk po shfrytëzohet për të përmirësuar jetën e qytetarëve por po shfrytëzohet vetëm për të pasuruar xhepat e qeveritarëve.  Kush është skandali më i fundit që ka denoncuar Partia Demokratike? Dhënia me koncension e kësaj hapësire këtu që quhet Terminali i Kontenierëve. Cila është historia e këtij koncensioni?

Në tetor të vitit që kaloi Autoriteti Portual shpalli procedurat e tenderit. Në tender morën pjesë dy kompani.  Njëra kompani gjermane, shumë e njohur në këtë sektor e cila menaxhon edhe Portin e Hamburgut, ndër portet më të njohura në Europa. Tjetra malteze, një kompani offshore. I vetmi fakt që dihet për këtë kompani është se një nga ish-drejtor i saj është hetuar për pastrim parash nga policia Malteze, një vend anëtar i Bashkimit Europian.

Ministria e Infrastrukturës ndërhyn,  bën tender me procedura të shkurtuara, me qëllimin që fituesin e tenderit të mos e vendosi transparenca dhe konkurrenca por fituesi i tenderit të parazgjidhet ai që ka vendosur Rama Beu. Tani që unë flas, për të gjithë qytetarët e vendit nga Veriu në Jug, i majtë apo i djathtë, me parti apo pa parti, nuk është fare e nevojshme  të thuhet se cila kompani ka fituar tenderin.  Të gjithë e dini se cilën ka përzgjedhur Rama Beu. Por, doja të beja tre pyetje për z.Rama:

1. Kush e zotëron këtë kompani?

2. Ai ka detyrimin tu thotë shqiptarëve çfarë fshihet pas kësaj kompanie?  Pse nuk respekton detyrimin ligjor që të tregojë kush janë përfituesit fundor të këtij koncensioni?

3. Si është e mundur që ky aset i sigurisë kombëtare ti jepet një kompanie që nuk i dihen pronarët?

Është e natyrshme që askush nuk pret përgjigje nga z.Rama edhe për këto dy muaj, se ai nuk ka dhënë përgjigje për 8 vjet. Por ne presim përgjigje nga SPAK-u.”deklaroi Xhaferraj, ndërsa u shpreh se po afron dita që qeveria aktuale të shporret nga zyrat e shtetit dhe përballja e tyre me zyrat e drejtësisë.