Sulmuesi i Bayern Munich, Harry Kane, ka hyrë në historinë e Champions League duke vendosur një rekord unik përballë Real Madridit. Anglezi është bërë lojtari i parë që regjistron gol ose asist në pesë ndeshje radhazi kundër gjigantit spanjoll.

Kane ka qenë vazhdimisht vendimtar kundër madrilenëve, duke kontribuar drejtpërdrejt në gola si në ndeshjet brenda ashtu edhe jashtë fushe, si në fazat me eliminim direkt ashtu edhe në ato të grupeve.

Pesë paraqitjet e fundit të Harry Kane kundër Real Madridit në Champions:

Asistim në vitin 2017 (me Tottenham Hotspur), asistim në vitin 2024, gol në vitin 2024, gol në vitin 2026, gol në vitin 2026.

Harry Kane po përjeton sezonin më të mirë në karrierë, pasi deri tani ia ka dalë të shënojë 50 gola. 31 gola anglezi 32-vjeçar i ka shënuar në Bundesligë, 12 në Champions League, 6 në Kupën e Gjermanisë dhe 1 gol në Superkupë.

Pas ndeshjes së fituar 4-3 kundër Real Madridit dhe golit të shënuar, Kane tha se për të mposhtur 'Galaktikët' duhet të jesh në një nivel më të lartë.

"Ishte një ndeshje e vështirë. E dinim se do të ishte e tillë kundër Real Madridit në Champions League. Ata kanë qartësisht një lidhje të veçantë me këtë kompeticion dhe gjithmonë duhet të luash në nivelin më të lartë për t’i mundur dhe për t’i eliminuar.

Pjesa e parë ishte pak kaotike, e nisëm në mënyrën më të keqe të mundshme, por u rikthyem mirë në lojë. Megjithatë, lojtarët e tyre në tranzicion mund të të dëmtojnë shumë dhe kjo është ajo që na ndëshkoi. Në pjesën e dytë thamë të ishim pak më të duruar. E dinim se me kalimin e kohës do të bëheshim më të fortë dhe arritëm t’i shfrytëzonim rastet tona në fund", tha Kane.


Lajmi kryesor:

Tre herë në disavantazh, Kompany pas kualifikimit të Bayern në gjysmëfinalet e Championsit: Ekipi tregoi karakter kundër Real Madridit! Kane: Kishim nivel më të lartë