Çarja e argjinaturës së lumit Droje ka përkeqësuar ndjeshëm situatën në fshatin Adriatik të Kurbinit, por edhe në dy fshatrat e Fushë Krujës, Dukagjin i Ri dhe Miliska.

Burime për Report TV bëjnë me dije se si pasojë, dhjetëra familje vijojnë të jenë të izoluara prej katër ditësh, ndërsa niveli i ujit po rritet nga ora në orë.

Banorët shprehen se po përballen me vështirësi të shumta, pasi mungon mundësia e lëvizjes, ndërkohë që situata po rëndohet edhe për shkak të mungesës së bazës ushqimore për bagëtitë.

Ata kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përkatëse për të shmangur përkeqësimin e mëtejshëm të situatës.

“Jam 78-vjeç. Quhem Liza, kemi 2 ditë të izoluar. Dalin ata që janë për të dalë, ne jemi këtu. Kjo përmbytje s’kishte ndodhur kurrë më parë”, tha një grua e moshuar, banore e fshatit Adriatik.

“Te shtëpia ime është deri në mes me ujë. Kjo punë nuk është sot, por u bë 35 vite që është kështu gjendja. Ne e shtrojmë rrugën vetë... Situata është nga çarja e argjinaturës, inshallah bëhet një copë betoni aty”, tha një tjetër qytetar i fshatit Adriatik.

“Janë t’u na bo dëme me rob, jo me delet e me lopët. Mua po më vdes plaku aty. Është zhytur në ujë shtëpia ime. Kam 4-5 ditë në ujë. Lopë e dele leri këto, se ato kanë mbaruar komplet. Por kam edhe plakun sëmur”, tha një tjetër qytetar i fshatit Adriatik të Kurbinit.

Ndërkohë Bashkia Krujë bën të ditur se në dy fshatrat që janë prekut nga vërshimet, uji ka hyrë në rreth 50 banesa.

“Si pasojë e çarjes së argjinaturës së lumit Droje ka vërshime uji në dy fshatrat: Dukagjin i Ri dhe Miliska. Në fshatin Miliska uji ka hyrë në banesa, ku janë prekur 50 familje. Në terren ndodhen ekipe të Bordit të Kullimit Durrës, për përballimin e situatës”, thuhet në njoftimin e Bashkisë Krujë.

R.Xh/A.M/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 7 Janar, 22:17

    Si po e menaxhon qeveria situatën e përmbytjeve?