'Po ndërtojnë pallatin e ri mbi themelet e atij që u shemb nga tërmeti', banorët e lagjes 7 në Durrës protestë para bashkisë: Të vijnë ekspertë, s'futemi në ato apartamente
Banorët deklarojnë se pallati i tyre u shemb pikërisht prej dëmtimeve në themele dhe se nuk mund të ketë më siguri për katet që do të ndërtohen pa themele të reja sipas tyre.
Redaksia 31 Janar 2022, 10:46 | Përditesimi: 31 Janar 2022, 11:01
20 familjet e pallatit nr. 21, në lagjen 7 në Durrës, kanë protestuar sot përpara Bashkisë, duke pretenduar se në pallatin e tyre prej disa ditësh kanë nisur punimet për rindërtimin e tij, por këto punime janë duket u kryer mbi themelet e pallatit të shembur nga tërmeti i 26 nëntorit.
Megjithatë, pavarësisht protestës së banorëve, Bashkia e Durrësit nuk ka ende asnjë reagim.
Kjo ka ngjallur jo pak panik dhe pakënaqësi mes banorëve të cilët deklarojnë se pallati i tyre u shemb pikërisht prej dëmtimeve në themele dhe se nuk mund të ketë më siguri për katet që do të ndërtohen pa themele të reja sipas tyre.
"Ai ndërtim që po bëhet, nuk jemi të sigurt me atë sepse në themelet e pallatit të parë që u prish është betonimi i shtresës fundore dhe tani po në atë shtresë po ngrenë themelet e pallatit të ri. Ata ana thanë se është e fortë shtresa e betonit dhe nuk e heqin dot dhe ja futën me zhavorr e gurë. Pallati i vjetër u prish tërësisht", tha një banore.
"Ne erdhëm të takojmë pronaren e Bashkisë. Me ato punime që po bëhen, duket sikur do ndërtojnë një barake. Ne specialistë nuk jemi, por dy gjëra i dimë. Pallati do bëhet 6 kat dhe me atë bazament që kanë bërë, edhe një shtëpi private nuk i ka aq. Ne i kërkojmë kryetares të vijnë ta shohin ekspertët sepse unë në atë pallat që po ndërtojnë ata, nuk futem. Themelet janë baza, ata thanë që nuk i prishim ato që ishin se janë të fortë", thotë një tjetër banor.
"Kanë hedhur beton mbi themelet e pallatit ët vjetër dhe tani do ngrenë katin e parë. Duam një specialistë të na sqarojë se mbi ça baze bëhet kjo? Ata e përfunduan betonin natën. Duam të takohemi me kryetaren e Bashkisë", shprehet një tjetër.
Pallati nr. 21 pritet të ndërtohet me 6 kate për 20 familjet, ndërkohë banorët deklarojnë se më herët pallati ka qenë me 5 kate, çfarë do të thotë se do të ketë familje të tjera që do të zhvendosen në këtë pallat dhe se punimet duhet të sigurojnë edhe më shumë godinën e re.