Prodhimet e sezonit janë në rrezik. Uji që duhej të mbërrinte në tokat bujqësore në fshatrat Shtiqën dhe Nangë të Kukësit, prej ditësh mungon.
“Këtu nuk e vë kush ujin në zjarr. Sot s’po kemi ujë as për vaditje as për të pirë”, tha një banor.
Banorët, të cilët sigurojnë të ardhurat nga bujqësia, akuzojnë se uji nga kanali tradicional i Shtiqnit, po shfrytëzohet për prodhimin e energjisë elektrike nga hidrocentralet e vegjël që janë ndërtuar aty.
Ata protestuan para Bashkisë së Kukësit duke kërkuar llogari se ku shkon uji dhe përse nuk respektohet kontratat që për muajt e verës vaditja të jetë e garantuar
"Kontratat për ujitje nga 15 maji deri më 15 shtator nuk zbatohen. Prodhimi është zero", thotë një banor.
“Shtiqni është bërë shkretëtirë prej mungesës së ujit. Prej 1967 e deri para 3 vitesh ka qenë funksional kanali vaditës. Më janë tharë kastravecët prej mungesës së ujit”, thotë Arben Trota, organizator i protestës.
"Këtu nuk kemi pikë ujë. Prodhimi është zero. Ia kanë ndaluar ujë fshatit”, thotë një tjetër banor.
Për t’i gjetur shkakun e shqetësimit të tyre, kryetari i bashkisë së Kukësit, Albert Halilaj, zhvilloi një takim me banorët, dhe një i dytë është planifikuar në datën 3 shtator.
“Ramë në dakordësi me kryetarin e bashkisë se më 3 shtator do të marrë drejtorin e bordit të kullimit, administratorin dhe disa përfaqësues të drejtorive për një mbledhje të dytë në Shtiqën për problematikën madhore të kanalit të ujit për të kuptuar ku shkon uji. Mund të merren masa strikte për hidrocentralet, kundër abuzimit që bëhet me ujin vaditës”, thekson Arben Trota.
Kanali i Shtiqnit, i ndërtuar para 59 vitesh, shërben për vaditjen e rreth 820 hektarëve tokë bujqësore. Aktualisht, rreth 120 hektarë janë të mbjella me misër, jonxhë dhe grurë, duke e bërë furnizimin me ujë një çështje të rëndësishme për fermerët e zonës.







Komente
Komento