U deshën më pak se njëzet e katër orë që Flamingot të gjenin armikun e radhës, duke e përqëndruar arsenalin e sulmeve digjitale në një episod të një shfaqjeje humoristike fundjave, ku një prej numrave vinte në lojë disa nga aspektet qesharake të protestës.
Nuk kam ndonjë interes të veçantë ta mbroj atë shfaqje humori. Në fakt, ka vite që programi nuk i kupton audiencat më të reja në moshë dhe shumica e humorit që bëhet në të i përket një epoke që ka kaluar bashkë me epokën e televizionit. Nga ana tjetër, nuk jam një kritik profesionist komedisë dhe nuk kam ndonjë detyrim të vendos nëse shfaqja e kësaj të diele ishte e bukur apo e mërzitshme dhe mbi të gjitha, televizioni në të cilin transmetohet është privat dhe nëse programet e tij nuk janë më argëtuese, kjo nuk është diçka që më shqetëson sepse në dorë kam një nga instrumentet më demokratike, siç është telekomanda.
Interesante këtu është ideja se një protestë duhet mbrojtur me patjetër nga vënia në lojë.
Në fakt, prej muajsh tashmë, një nga fjalët më të përsëritur mes Flamingove ka qenë fjala “turp,” e cila është përdorur si një lloj damke që i vendoset fillimisht politikanëve, pastaj gazetarëve e figurave të ndryshme publike dhe prej pak ditësh, edhe atyre njerëzve të zakonshëm që nuk sillen ashtu siç disa aktivistë të protestës do donin që ata të silleshin.
Është një fjalë mjaft e dobishme për Flamingot, pikërisht sepse nuk kërkon asnjë lloj argumenti se kur duhet përdorur dhe kundër kujt. Mjafton vetëm që personi ndaj të cilit përdoret, të mos jetë pjesë e tyre. Një standard disi i çuditshëm ky për një lëvizje, e cila i ka shpenzuar javët e fundit duke pretenduar se kanë të drejtën të kundërshtojnë këdo.
Disa prej aktivistëve më të zëshëm të protestës kanë qëlluar me vezë dhe shishe uji politikanë e figura publike, duke i konsideruar aktet e tyre si forma legjitime të ushtrimit të presionit politik. Paradoksalisht, sapo vihen paksa në lojë nga një skeç televiziv, të gjithë bëhen çuditërisht tepër të ndjeshëm, duke u ankuar se ndihen të ofenduar prej tij.
Tani, humori varet gjithmonë nga njëfarë gatishmërie për të ofenduar. Kjo në fakt vlen për shumicën e artit. Ato funksionojnë pikërisht duke sulmuar ndjesinë e madhështisë që njerëzit shpesh krijojnë rreth vetes, veçanërisht kur fillojnë të mendojnë në mënyrë se gjërat në të cilat besojnë janë të paprekshme. Por, duket se Flamingot po rrëshqasin dita-ditës drejt një “lëvizjeje” politike, e cila ka të drejtë të denigrojë këdo, ndërsa askujt nuk i lejohet të qeshë me të.
Po pse është kaq i rëndësishëm “turpi” si mjet disiplinimi për Flamingot? Ndoshta sepse edhe pas kaq muajsh, mbeten një grup jokoherent njerëzish, të cilët në rrethana të tjera nuk do e shihnin dot as me sy njëri tjetrin. E vetmja mënyrë që një koalicion i tillë të mbijetojë është mbajtja ndezur sa më gjatë e flakës së zemërimit dhe për këtë ka vazhdimisht nevojë për armiq të rinj. “Turpi” luan pikërisht rolin e një lloj ‘ngjitësi’ politik, pasi me gjithë armiqësitë e brendshme, të paktën kanë disa njerëz që mund t’i urrejnë së bashku.
Ajo që është veçanërisht domethënëse është se disa nga reagimet më të forta vijnë nga i njëjti grup prej 4-5 personash, të cilët janë shquar gjatë protestës vetëm për agresivitetin e tyre. Kontributi më i madh i tyre këto muaj është talenti për sherr dhe një zotësi gati e admirueshme për të zbuluar armiq të rinj që duhen turpëruar publikisht.
Tani me sa duket kanë arritur deri aty sa kërkojnë edhe kontroll editorial ndaj shfaqjeve humoristike.
Si njerëz që pretendojnë se po luftojnë arrogancën dhe abuzimin e pushtetit, Flaimngot po i përvetësojnë çuditërisht herët tiparet më negative të tij. Dhe të mendosh që ende nuk kanë asnjë pushtet në duar./Tema










Komente
Komento