Dy persona u arrestuan nga policia në Tropojë në kuadër të operacionit policor të koduar “Start 2026”, pasi u kapën duke kryer shitblerjen e 5 kilogramëve kanabis.

Igelson Mulaj dhe Sabain Allaraj u kapën në flagrancë në fshatin Astë, teksa Mulaj , po i shiste kanabisin një shtetasi.

Policia sekuestroi sasinë e lëndës narkotike, automjetin me të cilin ishte transportuar dhe një shumë parash.

Njoftimi i policisë

Tropojë

Finalizohet nga Komisariati i Policisë Tropojë, në bashkëpunim me DVP Kukës, operacioni policor i koduar “Start 2026”, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve.        

Kapen në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në fshatin Astë, duke kryer shitblerjen e 5 kilogramëve kanabis, vihen në pranga 2 shtetas.     

Sekuestrohen sasia e lëndës narkotike, automjeti me të cilin ishte transportuar dhe një shumë parash. 

Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve të siguruara për shitblerjen e një sasie lënde narkotike, Komisariati i Policisë Tropojë, në bashkëpunim me strukturat e DVP Kukës,  organizoi dhe finalizoi në drejtimin e Prokurorisë, operacionin policor të koduar “Start 2026”.    

Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan shtetasit: 

- I. M., 22 vjeç, banues në fshatin Astë dhe S. A., 22 vjeç, banues në Tiranë.  

Këta shtetas u kapën në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në fshatin Astë, në momentin kur shtetasi I. M. po i shiste lëndën narkotike, shtetasit S. A.       

Qesja me lëndë narkotike kanabis, me peshë 5 kilogramë, që u gjet gjatë kontrollit në automjetin e shtetasit I. M., u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin dhe një shumë parash.  

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.