Policia e Shkodrës ka goditur një grup kriminal i cili ushtronte veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve. Nga operacioni i koduar ‘Rrjeta’, policia ka vënë në pranga 4 pjesëtarë të grupit kriminal: Halis Uraj, 30 vjeç, banues në Shkodër, Mustafa Uraj 26 vjeç, Arjan Uraj, 36 vjeç dhe Mehmet Uraj, 72 vjeç të tre banues ne fshatin Mes, Shkodër.
Këta shtetas janë kapur gjatë operacionit, në Postribë, në momentin e shkëmbimit të lëndës narkotike.
Gjatë operacionit forcat policore gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 14 litra vaj hashashi; 65.6 gramë lëndë narkotike në formë çokollate; Një armë gjahu, një sasi fishekësh, një sasi parash, 6 aparate celulare dhe 1 automjet.
Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për evidentimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.