Po sikur Basha të bëhet vërtet kryeministër…

Po sikur Basha të bëhet vërtet kryeministër…

Kreu i PD-së Lulzim Basha

Lulzim Basha është sot kandidati i vetëm nga opozita, që mund të bëhet kryeministër. Nëse jo, ndryshe nga herë të tjera, vështirë se do të mund të mbetet kandidat i mundshëm, prandaj edhe 25 prilli konsiderohen si shansi dhe mundësia e tij e fundit.

Por cila është mundësia dhe sa janë shanset që ai t’ia marrë postin kryeministrit aktual?

Kandidati i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e ka refuzuar deri tani thirrjen e Edi Ramës, rivalit të tij për postin e kryeministrit, lidhur me një bashkëpunim të mundshëm pas zgjedhjeve të 25 prillit, por, njëkohësisht, kur mbeten pak ditë nga dita vendimtare i ka kërkuar mbështetje elektoratit të PS-së, që t’i bashkohet masivisht për të mundësuar atë që ai e quajti “Shqipëria Europiane”

Në fakt Basha, i cili është kujdesur të mbajë më pranë tij gjatë fushatës një staf me të rinj që mund të sjellin ndryshimin, si Jorida Tabaku, Gazmend Bardhi, Agron Shehaj, Belind Këlliçi etj, duke shmangur dukshëm emrat e trashëguar nga Berisha si Flamur Noka, Aldo Bumçi, apo Myqerem Tafaj dhe Besnik Mustafaj, është ai i cili për të rikthyer në pushtet PD-në, i nevojitet më shumë mbështetja e PS-së, ose e pjesës më të shëndoshë të saj, ndërsa Rama nga ana tjetër i ka vendosur si kusht që të distancohet nga “e kaluara” e PD-së.

Dalja në skenë e të rinjve nga të dy kampet ngjan si një lloj ‘vetingu të parakohshëm politik’, por sa i mundshëm është një bashkëpunim PS-PD, përmes një koalicioni të gjerë pas zgjedhjeve?

Të dyja palët duket se në këtë fushatë kanë nevojë më shumë se kurrë për njëra-tjetrën. Kuptohet më tepër PD-ja, partia që kërkon të vijë në pushtet, e cila siç dihet nuk e fitoi dot e vetme në 2009, dhe kur erdhi në pushtet në 2005, përfitoi më tepër nga çarja PS-LSI.

Në matematikë, siç dimë, për të vërtetuar zgjidhjen e saktë të një ekuacioni, mjafton të provohet e kundërta: pra, që ajo të jetë e gabuar, ose e zëmë se Basha është sot kryeministër!

Problemet e shumta sociale dhe ekonomike që shkaktoi tranzicioni nuk ka mundur dot t’i zgjidhë aspak, ose ashtu siç duhet, asnjë qeveri, qoftë edhe kur ajo ka marrë mbështetjen e mjaftueshme të elektoratit për të realizuar reformat e dëshiruara. Dhe ky është fakt, që e tregojnë pothuajse të gjitha të dhënat e raporteve ndërkombëtare, ashtu siç ekziston sot perceptimi i gjerë i mbi 80 për qind të shqiptarëve.

Se cila palë ka bërë më shumë, ky është një debat politik mes palëve.

Në një kohë kur edhe Europa e zhvilluar është në krizën e saj më të rëndë pas Luftës së Dytë Botërore , prej Covid, në Shqipëri kriza e rëndë që shkaktoi tërmeti dhe pandemia, për një vend me ekonomi të brishtë si yni, vështirë se ajo mund të përballohet e të zgjidhet pa mbështetje ndërkombëtare dhe pa stabilitetit politik.

Rama i cili veç një elektorati të sigurt ( kush e mendon humbjen e PS-së në Fier, Vlorë, Gjirokastër etj) për arsye nga të ndryshmet, ka edhe të gjitha ‘mjetet e duhura’, ashti sikurse edhe me shumë mundësi, përmes tyre, në rast të refuzimit të një bashkëpunimi, që të sigurojë një mandat të tretë, prandaj edhe nga oferta për Bashën i duhet pikërisht ajo që i mungon: stabiliteti politik.

Për të provuar që Basha nuk ia del dot i vetëm si kryeministër, mjaftojnë disa llogari të thjeshta:

Cilit elektorat do t’i shkëpusin vota disa nga ish-deputetët dhe funksionarët e lartë të PD-së ndër vite si Jozefina Topalli, Astrit Patozi, Rudina Hajdari, Myslim Murrizi, të cilët, siç dihet kanë dalë me partitë të tjera në zgjedhjet e 25 prillit, pavarësisht nëse do të arrijnë të futen në Kuvend.

A është e sigurt se do të votojnë për partinë e tyre disa nga ish-ministrat e kaluar më jetëgjatë si Majlinda Bregu, Ritvan Bode etj, ish-zyrtarë të lartë ndër vite, apo edhe mbështetësit e tyre.

Pra, sa shanse ka PD-ja të fitojë e vetme zgjedhjet e 25 prillit dhe sa mundësi ka një koalicion pas-zgjedhor me LSI, nëse kjo e fundit kërkon 20 deri në 40 për qind të pushtetit? Po nëse PS-ja, që në rastin më të keq merr 60-70 mandate, do t’i afronte mundësinë 50 me 50 për bashkëqeverisje, cili do të ishte vendimi më i mirë që do të merrte Basha?

E megjithatë Basha, kryeministër, nuk do ta ketë aspak të lehtë të administroja qoftë edhe ambiciet brenda forcës politike që ai drejton aktualisht, për të qeverisur siç duhet vendin, çka mund ta çojë në një krizë të thellë, sapo të marrë pushtetin.

Pse?

Mjaftojnë tri hipoteza të mundshme, për ekuacionin: Basha kryeministër!

Po sikur disa nga ish-ministrat e qeverisjes së kaluar të tillë si Flamur Noka, Aldo Bumçi, Genc Ruli etj, të shfaqin sërish ambicie për poste ministrore, dhe pas fitores, nëse nuk marrin atë që kërkojnë, të zemërohen dhe të kalojnë në opozitë.

Po sikur edhe aleatët të arrijnë rezultat pozitiv në zgjedhje, siç pretendojnë, dhe nga kontributi i fitores, normalisht pas 25 prillit të kenë edhe ambicie të mëdha: Nard Ndoka të kërkojë për shembull të bëhet sërish ministër Shëndetësie ose i Arsimit, Agron Duka ministër Bujqësie, Dash Shehi ministër Transportesh, Fatmir Mediu ministër i Mbrojtjes, Vangjel Dule të kërkojë postin e ministrit të Brendshëm dhe Shpëtim Idrizi atë të ministrit të Jashtëm dhe nëse nuk iu plotësohen, ata të kërcënojnë me largim nga bashkëqeverisja me Bashën!

Po sikur ndërkombëtarët t’i kenë vërë kusht Bashës, që të rreshtohet në favor të Reformës në Drejtësi, ashtu siç e kanë konceptuar dhe siç e duan ata, dhe nga ana tjetër kryetari i PD-së të përplaset me mendime dhe koncepte të ndryshme brenda për brenda partisë, atëherë sa i realizueshëm është zbatimi i reformave të tjera dhe realizimi i premtimeve të mëdha që ka bërë Basha në këtë fushatë?

Përfundimi: A mund të realizohet çelja e negociatave dhe integrimi Europian i Shqipërisë dhe si do të mundësohet e ardhmja e saj në BE, sipas krye-premtimit të Bashës në 100 ditë, nëse Reforma në Drejtësi nuk avancon siç e duan ndërkombëtarët apo më keq akoma nëse ajo pengohet, për të cilën është folur pak, ose çuditërisht thuajse aspak gjatë kësaj fushate.

Pra, a nuk është Reforma në Drejtësi çelësi i demokracisë dhe i së ardhmes së Shqipërisë në BE! Dhe a e beson kush se qeverisja e ardhshme, do t’ia dalë pa e realizuar atë, ashtu siç e kërkon dhe e dëshiron SHBA, BE, dhe shumica dërrmuese e shqiptarëve!

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Like: 21/04/2021 19:26

    Lulka mezi ngre breket e tij jo me te behet kryeminister

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Kryepolici Proda emëron 48 shefat e Komisariateve në 12 drejtoritë e qarqeve! Lista me EMRAT dhe qytetet

Kryepolici Proda emëron 48 shefat e Komisariateve në 12 drejtoritë e qarqeve! Lista me EMRAT dhe qytetet