Juristi Arbër Hoxha ka shkëmbyer batuta në studion e emisionit ‘5 Pyetjet nga Babaramo’ në Report TV me kreun e Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, ku po diskutohej për imunitetin e Belinda Ballukut dhe punën e SPAK.
Hoxha me shaka e pyeti Qorin mos ndoshta Lëvizja Bashkë që ai drejton kishte ‘kapur’ SPAK-un dhe përmes tij po ‘godiste’ politikanët e vjetër për t’i nxjerrë jashtë loje.
“Po sikur SPAK të jetë kapur nga Lëvizja Bashkë dhe zoti Qori të jetë i vetmi instrument për të larguar... Kjo është për hir të së vërtetës, sepse Kurti erdhi në pushtet vetëm atëherë kur u lirua rruga me pa të drejtë nga Gjykata Speciale dhe sigurisht që elefantët e politikës e kishin mbytur. Rruga e Kurtit drejt pushtetit dhe të legjitimuar dhe plotësisht të bindur, erdhi pasi këta elefantët e politikës, të korruptuar mendoj unë, ishin dhe shkuan aty ku duhet të shkonin, me pa të drejtë mendoj unë, por kjo është një çështje tjetër. Pra le ta themi edhe për batutë, po sikur të jetë kapur nga Lëvizja Bashkë SPAK-u dhe të heqin të gjithë këta të korruptuarit dhe të vijnë vetë në pushtet?”, tha mes të tjerash Hoxha.
Ndërkohë Qori iu përgjigj shkurt dhe prerë Hoxhës, duke i thënë se Lëvizja Bashkë kishte vetëm forcën e fjalës dhe të argumentit. Qori shtoi gjithashtu se Lëvizja Bashkë s’kishte asgjë tjetër në dorë dhe asnjë ndikim te institucionet e vendit.
“Ne nuk kemi asgjë në dorë përveç forcës së fjalës dhe forcës së argumentit. Sa mund të peshojë fjala ime në këtë diskutim, aq është edhe ndikimi ynë mbi institucionet në përgjithësi”, iu përgjigj Qori.
Lajmi kryesor:
Këshilli i Imunitetit, ‘5 Pyetjet’ zbardh detajet! SPAK: Duam arrest me burg për Ballukun, rrezikon të kryejë veprime të jashtëligjshme me vartësit











