Po sikur t’i vihej një çmim vaksinave dhe vaksinimit?

Po sikur t’i vihej një çmim vaksinave dhe vaksinimit?

Foto ilustruese

Tani ngjan si një lajm rutinë. Nëse deri dje përpara se të zbriste avioni në pistë, në aeroport kishte zbritur gjithë qeveria dhe media, ankthi i publikut dhe pritshmëritë për më shumë, tani është bërë ndodhi e zakonshme. Eshtë vetëm një statistikë normale, histori shifrash ku tre më shumë a dy më pak, janë pak a shumë e njëjta gjë. “Kanë ardhur vaksinat e reja; numri i qytetarëve të vaksinuar ka arritur në këtë nivel; përsërisim apelin për t’u vaksinuar; gushti muaji i hapur për vaksinim; Shqipëria buzëqesh e buzëqesh, kush çpohet sot, qesh neser pa frikë, kjo është trokitja që cuditërisht po e gjen të shurdhët derën e vëmendjes së publikut tani.

Duket sikur po ndodh një histori kundër pritshmërisë dhe që refuzon ligjësitë e logjikës. Në fillim të pandemisë, atëherë kur gjithë bota nisi të jetojë nën ankthin e frikës dhe të panikut, vaksina pritej si puthja për virgjëreshat dhe hapi i parë drejt rindryshimit të një bote që dukej se po ndëshkohej nga mëkatet e saj. Ardhja e vaksinës pritej si kamzhiku për të ligën, si Mesia për besimtarët. Optimistë dhe pesimistë, të pasur e të varfër, flegmatikë apo cinikë besonin se ajo do të ishte dita zero për një botë që po kërcënohej në eksistencën e saj jetike. Por kur erdhi vaksina e parë, më pas e dyta, e treta e kështu me rradhë, u kuptua se njerëzimi thjesht kishte humbur rutinën dhe ishte trembur se mos pësonte fatin e dinosaurëve. Ankohej jo për ato që nuk po bënte, por për ato qe i ishin ndaluar të bënte.

Muaj mbas shpikjes së vaksinave, pothuaj të gjitha qeveritë e përgjegjshme në Perëndim, kanë nisur beteja që i ngjajnë njëra-tjetrës qoftë kur bëhen në SHBA e Francë, qoftë kur luftohen në Tiranë në Berlin: domosdoshmëria logjike, shkencore, njerëzore e sociale për të vaksinuar popullsinë dhe kufizimi për të ndërhyrë në të drejtën njerëzore të çdokujt për të vendosur në liri të plotë nëse duhet të vaksinohet apo jo. Lloj-lloj teorish konspirative, lloj-lloj marrëzish që sa më idiote të jenë, aq më të besueshme bëhen, kanë fituar terren e përkrahës, tifozë fanatikë dhe fanatikë të çmendur që refuzojnë vaksinimin dhe mallkojnë procesin. A mund të detyrohet dikush që të vaksinohet përkundër vullnetit të tij? A mund të lejohet dikush që të shndërrohet vullnetarisht në një armë të lëvizshme që të rrezikojë jo vetëm veten, por edhe komunitetin ku jeton? Kjo dileme ende nuk ka përgjigje. Politikat zyrtare po tentojnë shumë karrota dhe pak shkopinj për momentin. Pagesë për çdo të vaksinuar, shpërblesa të ndryshme dhe lehtësi të llojllojshme, por edhe kufizime që lidhen me vendin e punës apo të shërbimeve publike dhe private që merren apo refuzohen të jepen, kufizime në të drejtën për të lëvizur, e megjithatë, në lëmshin e pafundëm të problematikës, nuk është gjetur një zgjidhje që të kënaqë të gjitha palët. Partia antivaksina nuk po njeh kufinj dhe po kthehet në një kercënim serioz për gjithë të tjerët që nuk besojnë se tani që Billi humbi Melindën, do të fitojë kontrollin mbi botën me mikrocipe.

Ka megjithatë një zgjidhje që mund të “verifikojë” matematikisht ndryshimin e vullneteve që pranojnë me zor dhe refuzojnë fort vaksinimin. Nuk dihet nëse mund të funksionojë në SHBA, në Gjermani apo në Francë, por në Shqipëri i ka të gjitha shanset të jetë zgjidhja ideale që do të zëvendësonte qoftë lutjet pothuaj të përditshme të Ramës “Aman vaksinohuni!”, qoftë apelet e Ogertës “Të vaksinohemi të gjithë!”. Nëse në Tiranë vaksina dhe vaksinimi do të kishte çmim, të gjithë do të ishin në rradhë për t’u çpuar. Sepse në Shqipëri nuk hezitojnë të paguajnë faturën e spitalit privat, por në shërbimin publik e denoncojnë mjekun nëse ju duket se do një mijë lekë, refuzojnë të paguajnë taksën e pastrimit në bashki, por i duan koshat e plehrave si dyqane parfumerie, e duan shtëpinë në tokë harram, por Tan Lamen e duan falas. E përbuzin dhe nuk e pranojnë shtetin sepse edhe në këto një qind e ca vjet që i qeveris në shqip, ai ju duket krijesë e huaj si pushtuesi, por kur i djeg zjarri, i mbyt uji apo kur i than dielli, i kërkojnë edhe qiqrrën e qërruar, edhe hellin e lëmuar. Në një rikthim të mundshëm të pandemisë, për cdo të sëmurë shtesë, për çdo fatalitet, për çdo dramë njerëzore është e qartë se cilët janë fajtorët. Janë ata që një shumicë e heshtur detyrohet t’ju respektojë të drejtën për të qenë vrasës!

Mirë apo keq, edhe një shoqëri parademokratike dhe e frustruar nga feudalizmi komunist i djeshëm dhe tranzicioni primitiv i sotëm, si shoqëria shqiptare, në thelb nuk ndryshon shumë nga fqinjët e ngjashëm apo skandinavët vite dritë larg. Një shqiptar ka nevoja identike me një danez, por të dy e përdorin shumë ndryshe galixhantin. Ky është thelbi për të kuptuar diferencën mes bijve të shqiponjës dhe etërve të Sirenës së Vogël.

Eshtë e pabesueshme aftësia njerëzore për t’u përshtatur. Eshtë padyshim një nga dhuratat më të jashtëzakonshme që raca njerëzore ja ka bërë vetes në luftën e përjetshme për mbijetesë në një botë gjithmonë e më nën kontroll nga vullneti i majës se zinxhirit ushqimor. Vetëm gjahtar dhe asnjëherë pre, asgjë tjetër sa dhe si njeriu nuk ka dominuar globin me ndikimin e tij mbi të në këto dy mijëvjeçarë. Asgje nuk ka qenë kaq i fortë dhe gati i pakthyeshëm, sa ndikimi i shoqërisë njerëzore në shekullin e fundit. Mosha e planetit, përballë shfaqjes së njeriut është si përjetësia në raport me një hapjembyllje sysh, por është pikërisht kjo hapjembyllje sysh, që duhet të jetë një nga misteret më të mëdha dhe më të mrekullueshme të jetës. Bashkë me magjinë e pandemisë që erdhi për të dëshmuar se i lumturi nuk duhet të harrojë se fatkeqësia është më e shpejtë se drita, se pasuria është një iluzion, se siguria është përjashtim, se paqja nuk është rregull, se lumturia është trill i cmendur, se dashuria është luftë ku fiton ai që nënshtrohet dhe virgjeria nuk është kurrë e përjetshme. Gjithçka e ka një çmim, e vështirë është vetëm të gjesh etiketën e duhur për të shkruar shifrën e duhur. Edhe vaksina që shpëton jetë, edhe marrëzia e atyre që sillen si kobure e mbushur përballë jetës, e kanë çmimin e tyre. Dhe nëse vaksina do të bëhej një mall që duhej paguar në Tiranë, atëherë rradha për t’u çpuar, do të niste në Rinas për të përfunduar në sheshin Skënderbej. Sepse Tirana është atdheu i zengjinëve të rinj që edhe kur kanë fituar miliona janë gati t’i këmbejnë ato me qindarkat e rrogës në administratë. Atdhe i kontradiktës, do të thoshte Piktori që pretendon se për Atdheun është lypsar profesionist jashtë dhe njëherësh, pilot i cdo avioni që vjen brenda tek Nënë Tereza.

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Izraeli bombardon me raketa aeroportin ndërkombëtar të Sanas në Jemen, disa të lënduar

Izraeli bombardon me raketa aeroportin ndërkombëtar të Sanas në Jemen, disa të lënduar