Kryeministri Edi Rama u ka bërë apel qytetarëve që ta vaksinohen sa më parë, në mënyrë që të mbrojnë veten e tyre nga COVID. Teksa ka shpërndarë një video të pacientëve të shtruar në spital me COVID, Rama shkruan se ato kanë përfunduar në spital, pasi janë përballur me vendimin e gabuar për të refuzuar vaksinën: Kur përballesh me vendimin e gabuar për të refuzuar vaksinën! Edhe qytetarët e shtruar në spital, bëjnë thirrje që qytetarët të vaksinohen.

‘Në familjen time të gjithë janë të vaksinuar përveç meje se ishte zgjedhja ime. Kjo zgjedhje e gabuar më çoi këtu ku jam. Dua të them të gjithë të rinjtë duhet të vaksinohen pa përjashtim’, u shpreh një pacient.

“Po ju them të gjithëve të vaksinohen sepse do të përfundoni si puna ime këtu”, u shpreh një paciente.

“I bëj thirrje të gjithë moshës sime, edhe më të vegjël, të vaksinohen, një orë e më parë. Po të isha vaksinuar do isha në shtëpi me kalamajtë”, tha një pacient tjetër.

Komiteti Teknik i Ekspertëve, vendosi pak ditë më parë që për punonjësit e administratës publike, të supermarketëve e të qendrave tregtare, të futen në kategorinë e atyre që e kanë vaksinimin kundër COVID të detyruar. Kujtojmë çdo qytetar mbi 18 vjeç tashmë mund të vaksinohet me dozë të tretë përforcuese kundër COVID, 6 muaj pas marrjes së dozës së dytë. Me dozën e tretë u vaksinua edhe kryeministri Edi Rama, teksa i bëri thirrje qytetarëve që mos të hezitojnë të vaksinohen për të mbrojtur shëndetin e tyre.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, që prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 2,111,797 doza të vaksinës ndaj COVID-19. Janë kryer 1,075,332 doza të para; 965,964 doza të dyta; 70,501 doza të treta.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:24
VIDEOLAJM/ Gratë shtatzëna apel: Vaksinohuni, mbroni veten dhe fëmijën

 

Në një zë gratë shtatzëna bëjnë apel për vaksinim për të mbrojtur veten dhe fëmijën. Në një videomesazh, ato rrëfejnë se nuk kanë pasur asnjë shqetësim pasi janë vaksinuar, njëra prej të cilave, me të tria doza.

“Gjendja ime filloi të përkeqësohet. Kur erdha këtu fëmija im ishte në rrezik dhe unë isha në rrezik. Besoj se ndoshta po ta kisha bërë dhe unë, do isha në gjendje më të mirë, do ta kisha kaluar më lehtë dhe unë nuk do kisha përfunduar në këtë situatë që jam tani”, thotë njëra prej tyre.

“Një grua shtatzënë ka mjaft halle, mjaft shqetësime. COVID-i nuk duhet të jetë një nga këto shqetësime përderisa kemi vaksinën në dorë. Kjo është doza e tretë sepse mendoj që kjo është faza më e mirë për dozën e tretë. Dy dozat e tjera i kam bërë para shtatzënisë, kështu që ka kaluar kohë”, rrëfen një shtatzënë.

“Mendoj që po e po fëmija rrezikon, por rrezikoj dhe unë jetën. Duhet patjetër të vaksinohen, sidomos gratë shtatzënë. Tani që e bëra të parën jam shumë mirë, jam më e qetë”, tregon një tjetër grua e re e cila mori dozën e parë të vaksinës së COVID-19.