KUKËS- Një 39-vjeçar nga Kosova është arrestuar në pikën e kalimit kufitar të morinës, pasi po trafikonte heroinë.

Siç shihet në pamje, 39-vjeçari Arben Kelmendi e kishte fshehur drogën në makinë. Policia thotë se ka sekuestruar 11 kg heroinë të ndarë në pako në automjetin tip 'Volkswagen'.

39-vjeçari po e trafikonte drogën nga Kosova drejt Shqipërisë.

“Gjatë operacionit, në hyrje të Shqipërisë, u kap në flagrancë dhe u arrestua shtetasi kosovar Arben Kelmendi ,39 vjeç, banues në Pejë. Gjatë kontrollit në automjetin tip “Volkswagen” që drejtonte ky shtetas, u gjetën 11 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar heroinë e ndarë në pako, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin e 39-vjeçarit”, njofton policia.

Vijojnë hetimet e përbashkëta për dokumentimin e kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që mund të jenë implikuar në këtë rast.    

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.