DURRËS- Një rast i tentativës së trafikimit të armëve të zjarrit është goditur në pikën kufitare në Portin e Durrësit.

Në pranga është vënë një shtetas italian, Giovanni Bedini, i cili po trafikonte një automatik drejt Italisë. Armën 66-vjeçari italian e kishte fshehur poshtë dyshekut në një rulot.

‘Shërbimet e Policisë Kufitare të portit të Durrësit, në vijim të kontrolleve në hyrje/dalje, të bazuara në analizën e riskut, me fokus parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive kufitare, kanë goditur një rast të tentativës për trafikim të armëve të zjarrit, në dalje të RSh-së.’- njofton policia.

Po ashtu është vënë në hetim edhe një 31-vjeçar, Ergit Haka për mosdeklarim të parave, në hyrje. 

31-vjeçari nuk kishte deklaruar 16 300 euro dhe 100 paund. 

‘Shërbimet e Policisë Kufitare të portit të Durrësit, në vijim të kontrolleve në hyrje/dalje, të bazuara në analizën e riskut, me fokus parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive kufitare, kanë goditur një rast të tentativës për trafikim të armëve të zjarrit, në dalje të RSh-së, dhe një rast të mosdeklarimit të parave, në hyrje.

Për këto raste, veprimet hetimore dhe procedurale janë kryer nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Durrës, të cilët kanë arrestuar në flagrancë shtetasin G. B., për veprën penale "Trafikimi i armëve dhe municionit", si dhe kanë referuar materialet në Prokurori ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. H., për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.   

Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.’- njoftoi policia.