KUKËS- Gjashtë persona janë arrestuar në Kukës pasi janë konstatuar duke transportuar emigrantë të paligjshëm, ku një prej tyre rezultoi person i shpallur në kërkim. Burime bëjnë me dije se ata po transportonin emigrantët në makina të ndryshme në drejtim të Kosovës kundrejt parave.

Personat e arrestuar janë identifikuar me inicialet:

-B. M., 32 vjeç (i dënuar më parë, i shpallur në kërkim), J. V., 35 vjeç dhe A. S., 29 vjeç, të tre banues në Tiranë;

-M. O., 28 vjeç, banues në Kukës;

-A. S., 26 vjeç, banues në Shkodër;

-F. F., 52 vjeç, banues në Prishtinë.

Gjithashtu u procedua në gjendje të lirë shtetasi F. M., 54 vjeç, banues në Tiranë. Ndërsa është bërë edhe sekuestrimi i 7 automjeteve me të cilat po transportonin emigrantët.

Theksojmë se 32-vjeçari B.M., nuk është hera e parë që kapet duke transportuar emigrantë të paligjshëm, pasi ai ishte i shpallur në kërkim nga DVP Korçë për të njëjtën vepër penale. Ai ka qenë i dënuar më parë edhe për shkelje gjatë drejtimit të mjetit, ndërsa në momentin e ndaluar nga policia ditën e sotme rezultoi pa leje drejtimi.  

Materialet hetimore do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, për veprime të mëtejshme.