Një 52-vjeçar u arrestua në kuadër të operacionit policor të koduar “Cargo”. Afrim Meça u kap në fshatin Luz të Fushë Krujës, duke transportuar me automjet 60 kilogramë kanabis, e vendosur në 6 thasë.
Kanabisi do të shitej në doza të vogla në qytetin e Krujës dhe në Tiranë.
Sipas policisë, vlera e drogës së sekuestruar shkon në 60 mijë euro. Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin dhe 1 celular.
52-vjeçari Afrim Meça akuzohet për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Policia po kryen hetime për të identifikuar nëse ka shtetas të tjerë të përfshirë.
Njoftimi i policisë
Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin e Forcës së Posaçme Operacionale, operacioni policor i koduar “Cargo”.
Sekuestrohen 60 kilogramë lëndë narkotike kanabis.
Vihet në pranga 52-vjeçari që u kap në flagrancë në fshatin Luz, duke transportuar me automjet, lëndën narkotike, me qëllim shitjen.
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin e Forcës së Posaçme Operacionale, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar në informacionet e siguruara për një rast të shitjes së lëndëve narkotike, organizoi dhe finalizoi operacionin policor të koduar “Cargo”, si rezultat i të cilit u kap në flagrancë dhe u arrestua shtetasi:
-A. M., 52 vjeç, banues në Krujë.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ndaluar në fshatin Luz, Fushë Krujë, automjetin me drejtues shtetasin A. M., në të cilin kanë gjetur 6 thasë me lëndë të dyshuar cannabis sativa, me peshë totale 60 kilogramë.
Nga hetimet dyshohet se lënda narkotike (me vlerë rreth 60 000 euro) do të shitej në doza të vogla në qytetin e Krujës dhe në Tiranë.
Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin dhe 1 celular.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Lajmi në përditësim...
Komente










