Mëngjesin e sotëm është shënuar një përplasje mes banorëve të fshatit Kurdari dhe përfaqësuesve të kompanisë ndërtuese të hidrocentralit “Doma”. Konflikti ka degraduar në përplasje fizike, duke detyruar ndërhyrjen e punonjësve të Policisë për të qetësuar situatën.

Sipas banorëve, këtë herë në zonë kanë ardhur disa persona të panjohur për komunitetin, të cilët kanë ushtruar presion dhe kërcënime ndaj tyre. Banorët pretendojnë se këta individë ishin të lidhur me kompaninë ndërtuese dhe ishin sjellë në fshat për t’i frikësuar dhe për t’i detyruar të lejojnë rifillimin e punimeve.

Pas incidentit, banorët u mblodhën para Komisariatit të Policisë Mat, ku zhvilluan një protestë duke kërkuar hetim për përfshirjen e elementëve kriminalë nga ana e kompanisë për të ushtruar trysni ndaj komunitetit.

Një nga qytetarët deklaroi para komisariatit se durimi i banorëve ka arritur kufirin dhe se firma po përdor metoda të papranueshme për të imponuar projektin. Sipas tij, janë sjellë njerëz nga qytete të tjera si Shkodra, Durrësi dhe Tirana, të cilët nuk kanë asnjë lidhje me zonën dhe që përdoren për të provokuar konflikt. Ai theksoi se prej muajsh banorët nuk kanë lejuar asnjë ditë punë në terren dhe se kjo situatë po i pengon të punojnë tokat dhe të sigurojnë jetesën për familjet e tyre.

Një tjetër banor u shpreh se komuniteti i Kurdarisë është i dhunuar prej më shumë se tetë muajsh për shkak të këtij projekti. Ai tha se mbi 3 mijë hektarë tokë vaditen nga uji i lumit dhe se ndërtimi i hidrocentralit rrezikon drejtpërdrejt bujqësinë. Sipas tij, ditën e sotme situata ishte organizuar ndryshe, pasi në zonë ishin sjellë katër ose pesë persona me precedentë penalë, të cilët goditën një të ri nga fshati sapo ai kundërshtoi sjelljen e tyre. “Jemi me turp që në fshatin tonë të na rrahë i huaji”, u shpreh ai.

Po ashtu, një qytetar tjetër akuzoi kompaninë Doma si organizatore të incidentit, duke thënë se ajo po përpiqet të fitojë me presion dhe dhunë një të drejtë që populli ia ka mohuar. Ai kërkoi ndërhyrjen e drejtësisë për të hetuar ngjarjen dhe për të ndalur, sipas tij, ardhjen e personave të padëshiruar nga qytete të tjera për të shkaktuar konflikte në fshat.

Konflikt i përsëritur për hidrocentralin në lumin e Lusës

Përplasja e sotme vjen në vazhdën e një konflikti të gjatë mes banorëve të Kurdarisë dhe shoqërisë ndërtuese për ndërtimin e hidrocentralit “Doma” në Klos, në lumin Lumi i Lusës.

Më 23 shkurt 2026, mjetet e kompanisë kishin tentuar të rifillonin punimet, duke kryer rreth 50 metra punime për hapjen e gjurmës së projektit. Banorët dolën nga banesat dhe bllokuan makineritë, duke mos lejuar vijimin e punës. Situata u tensionua për disa minuta, ndërsa në vendngjarje mbërritën shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, të cilat shoqëruan disa persona dhe detyruan mjetet e kompanisë të largohen.

Banorët kanë deklaruar vazhdimisht se ndërhyrjet e tyre janë paqësore dhe se synimi i vetëm është ndalimi i punimeve deri në zgjidhjen e çështjes në rrugë ligjore. Ata pretendojnë se projekti është miratuar pa konsultim të rregullt publik dhe pa përfshirjen e komunitetit, siç e parashikon ligji.

Sipas tyre, ndërtimi i hidrocentralit rrezikon burimet ujore që përdoren për vaditje dhe furnizim me ujë, duke vënë në rrezik tokat bujqësore, pemtarinë dhe blegtorinë, të cilat janë burimi kryesor i të ardhurave për familjet e zonës.

Në zhvillimet e mëparshme, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë ka rrëzuar padinë e banorëve kundër projektit, duke lënë në fuqi lejet e ndërtimit. Çështja aktualisht ndodhet në Gjykatën e Apelit, ndërsa banorët kanë paralajmëruar se do të vijojnë kundërshtimin dhe nuk do të lejojnë rifillimin e punimeve.

Gjatë muajve të fundit, tensionet janë shoqëruar me bllokime të mjeteve të kompanisë, shoqërime në polici dhe procedime penale ndaj disa banorëve. Banorët deklarojnë se do të vazhdojnë rezistencën dhe kërkojnë hetim për incidentin e sotëm dhe për çdo përpjekje për t’i trysnuar përmes dhunës apo kërcënimeve.