TIRANË- Dy persona u arrestuan pasi po tentonin të trafikonin drejt Malit të Zi dy bomba me telekomandë. Operacioni policor i koduar "Distanca" u finalizua pasditen e së mërkurës dhe në pranga u vunë Erol Çiçi 33-vjeç dhe Maringlen Gruda 30-vjeç që të dy banues në Durrës, të dënuar me parë për vjedhje dhe trafikim narkotikesh.

Këta dy persona u kapën në flagrancë në vendin e quajtur "Rrethrrotullimi i Shëngjinit", në hyrje të qytetit të Lezhës dhe kontrollit të ushtruar nga Policia, në çantën e Maringlen Grudës janë gjetur dy bomba me mekanizëm shpërthimi në distancë nëpërmjet aparatit telefonik celular, ku njëra ishte me lëndë të dyshuar plasëse e llojit tritol dhe tjetra me lëndë të dyshuar si plasëse e llojit dinamit, të cilat dyshohet se do t’i trafikonin në drejtim të Malit të Zi.

Specialistet për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në Policinë e Lezhës, nën drejtimin e Prokurorisë kishte marrë informacion për veprimtarinë e këtyre të rinjve dhe prej 1 muaj ishin vënë në vëzhgim dhe ndjekur me metoda proaktive. Dyshimet e Policisë janë se të ndaluarit janë vetëm transportues të bombave me telekomandë dhe vijojnë veprimet hetimore për identifikimin e  personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari të paligjshme.

Materialet hetimore në ngarkim të dy të ndaluarve do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve plasëse, djegëse, helmuese dhe radioaktive” kryer në bashkëpunim. Kjo është e disata herë që  persona me bomba me telekomandë kapen në zonën e Lezhës gjatë tre viteve të fundit, por në asnjë rast nuk është gjetur baza e prodhimit të tyre dhe as porositësit të cilët i blejnë kundrejt shumave të ndryshme parash.

Bombat e sekuestruara