Po transportonin mallra për DASH, rebelët Houthi sulmojnë dy anije me flamur amerikan

Po transportonin mallra për DASH, rebelët Houthi sulmojnë dy anije me flamur amerikan

Dy anije me flamur amerikan që po transportonin mallra për Departamentin amerikan të Mbrojtjes dhe atë të Shtetit u sulmuan të mërkurën nga rebelët huthi të Jemenit, thanë zyrtarët, ndërsa Marina Amerikane interceptoi disa prej goditjeve.

Sulmet ndaj anijeve konteniere “Maersk Detroit” dhe “Maersk Chesapeake” shtojnë më tej rrezikshmërinë e sulmeve të vazhdueshme ndaj linjave të transportit detar përmes ngushticës së rëndësishme Bab el-Mandeb. Shtetet e Bashkuara dhe Britania kanë bërë disa goditje ajrore në përpjekje për t’i ndalur këto sulme.

Ndërkaq Katari, një ndër eksportuesit më të mëdhenj të gazit të lëngshëm natyror, paralajmëroi se po ndihet tek dërgesat efekti i sulmeve të huthive, për shkak të luftës së Izraelit ndaj Hamasit në Rripin e Gazës.

Kompania daneze Maersk i konfirmoi agjencisë së lajmeve Associated Press emrat e dy anijeve dhe shtoi se në momentet e sulmeve ato po shoqëroheshin nga Marina Amerikane.

“Gjatë udhëtimit, të dyja anijet raportuan se panë shpërthime pranë tyre dhe se eskorta e Marinës Amerikane gjithashtu interceptoi disa prej predhave”, tha kompania Maersk. “Ekuipazhi, anija dhe ngarkesa janë të sigurta dhe të padëmtuara. Marina Amerikane i ka kthyer pas të dyja anijet dhe po i shoqëron në kthim drejt Gjirit të Adenit”.

Kompania Maersk tha se dy anijet po transportonin ngarkesa të Departamentit amerikan të Mbrojtjes dhe Departamentit të Shtetit, si dhe të agjencive të tjera qeveritare dhe për këtë arsye “mbroheshin nga Marina Amerikane gjatë kalimit përmes ngushticës”.

Kompania operatore Maersk Line, dega amerikane e kompanisë Maersk njoftoi se “ka pezulluar tranzitin në rajon deri në një njoftim të ri”.

Komanda Qendrore e ushtrisë amerikane bëri një deklaratë në internet ku fajëson huthitë për sulmin, duke shtuar se gjatë sulmit u përdorën “tre raketa balistike anti-anije”.

“Njëra raketë goditi në det”, thuhet në deklaratë. “Dy raketat e tjera u interceptuan me sukses dhe u rrëzuan nga USS Gravely”, një destrojer me raketa i klasit Arleigh Burke.

Komanda Qendrore amerikane nuk iu përgjigj pyetjeve të mëtejshme.

Grupi huthi, që ka bërë sulme ndaj anijeve që nga muaji nëntor për shkak të luftës së Izraelit ndaj Hamasit në Rripin e Gazës, mori më vonë autorësinë nëpërmjet një deklarate të regjistruar paraprakisht të zëdhënësit ushtarak, Gjeneral Brigade Yahya Saree. Ai u zotua se huthitë do t’i vazhdojnë sulmet.

Që nga nëntori, rebelët kanë sulmuar vazhdimisht anijet në Detin e Kuq, duke thënë se po merrnin hak për ofensivën e Izraelit në Gazë kundër Hamasit. Por ata shpesh kanë sulmuar anije me lidhje të dobëta ose aspak të qarta me Izraelin, duke vënë në rrezik transportin në një rrugë kyçe detare për tregtinë globale.

Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe kanë bërë disa sulme ajrore ndaj vendeve ku ruhen dhe nga ku lëshohen raketat e përdorura nga huthitë gjatë sulmeve. Rebelët tashmë thonë se do të kenë në objektiv edhe anijet amerikane dhe britanike.

Ndërkohë, Katari njoftoi se dërgesat e tij të gazit natyror të lëngshëm ishin ndikuar nga sulmet Houthi. Dërgesat e mëparshme ishin vonuar përpara se të niseshin përmes Gjirit të Adenit dhe Detit të Kuq.

Megjithatë, Katari, i cili ka shërbyer si ndërmjetësues kryesor midis Hamasit dhe Izraelit, ende nuk ka parë të sulmohet ndonjë nga anijet e tij. Një deklaratë nga kompania shtetërore QatarEnergy tha se "prodhimi vazhdon i pandërprerë dhe angazhimi ynë për të siguruar furnizim të besueshëm të gazit të lëngshëm natyror për klientët tanë mbetet i palëkundur".

“Ndërsa zhvillimet e vazhdueshme në zonën e Detit të Kuq mund të ndikojnë në planifikimin e disa dërgesave pasi ato marrin itinerare alternative, dërgesat e gazit të lëngshëm natyror nga Katari po menaxhohen me blerësit tanë të çmuar”, thuhet në deklaratë.

Deklarata sugjeron se ngarkesat e QatarEnergy tani po udhëtojnë rreth Kepit të Shpresës së Mirë të Afrikës, duke i shtuar kështu kohë udhëtimeve të tyre./VOA

S.S/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kurbin/ Humb kontrollin e mjetit dhe del nga rruga, ndërron jetë 65- vjeçari

Kurbin/ Humb kontrollin e mjetit dhe del nga rruga, ndërron jetë 65- vjeçari