ELBASAN- Policia ka vënë në pranga një 35-vjeçar, i cili nuk iu bind urdhrit të punonjësit të Policisë për të ndaluar dhe në tentativë për t'u larguar ka humbur kontrollin e drejtimit të mjetit, duke rrezikuar jetën e 10 personave që transportonte.

Në aksin rrugor Cërrik-Belsh, shërbimet e Policisë kapën në flagrancë 35 vjeçarin me iniciale M. B., 35 vjeç, banues në Durrës, duke transportuar drejt Tiranës, kundrejt fitimit 450 euro për person, 10 shtetas sirianë, të cilët i kishte marrë në qytetin e Korçës.

Në momentin e ndërhyrjes së Policisë ky shtetas nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë për të ndaluar dhe në tentativë e sipër për t'u larguar ka humbur kontrollin mbi mjetin duke rrezikuar jetën e shtetasve që transportonte.

35 vjeçari akuzohet për veprat penale "Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit", "Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor" dhe "Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik" dhe materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprimet e mëtejshme.