Një përgjigje nga foltorja e Kuvendit, Ulsi Manja e pati edhe për akuzat e Berishës se kryetari i Komisionit të Ligjeve “merr në Peshkopi Belinda Ballukun se ajo ka dosjen e tij.” Manja vlerësoi ndjekjen e axhendës së tij politike prej Berishës, ndërsa i tha se nëse do të hapej dosja e kryetarit të PD, “do të merrte erë gjithë Shqipëria.”

Ai i kujtoi Berishës se në një dimension tjetër, s’do të marrin dosje me vete, por nëse kreu i PD do të ketë nevojë, shprehu gatishmërinë për ta ndihmuar.

“Sali, sot më dhe një provë që ti e ndjek axhendën time politike dhe jam i bindur që më ndjek edhe tani! Më vjen mirë që më ndjek, Sali, më vjen mirë që më ndjek në aktivitetet e mia politike se dhe uën të ndjek si pasqyrë, por e ndjekim njëri-tjetrin për qëllime të ndryshme. Unë të ndjek si pasqyrë për të parë veten që të mos jem në politikë si ti. Kam një sugjerim miqësor. Sali, çliroje mendjen dhe shpirtin nga dosja sepse dosja jote është kaq e madhe a çfarëdo që shton aty, nuk ndryshon kurrgjë. Ia ke vënë kapakun asaj dosjeje me titullin akademik non grata dhe kur s’ka bërë fajde as ky, ti nuk ke për të reflektuar më. Po të hapet dosja jote, merr erë tërë Shqipëria! Atje ku do të shkojmë të gjithë me radhë, siç e ka shkruar Zoti, po të perifrazoj një shprehje nga zona e Tropojës: në këtë dynja, cullak kemi ardhur e cullak do të ikim! Nuk do të marrim as dosje, as baltë, as shpifje, as intriga, do të na pranojnë siç jemi. Atje do të shkojmë para Shën Pjetrit dhe do të japim llogari. Unë s’kam merak të madh të marr ndonjë dosje me vete, fare sepse jam gati që kur të shkoj atje, të jap llogari, jam i lirë në mendje e në shpirt. Nëse ty të duhet dosja për ta marrë me vete, kujdes mos humb ndonjë letër e të duhet rrugës, e po t’u desh ndihmë, do të të ndihmoj që të shkosh me dosje tamam”, tha Manja.


Lajmi kryesor:

LIVE TV- Kuvendi në seancë maratonë për integrimin! PD: Bllokuat procesin me mbrojtjen për Ballukun! PS: Anëtarësimi brenda 2030, objektiv i arritshëm