ELBASAN- Festimet kanë nisur me aktivitete për fëmijët në kopshtet e qytetit, ndërsa në ditët në vijim në Elbasan do të performojnë edhe trupa artistike nga treva të ndryshme shqiptare. Një nga aktivitetet që sjell në qendër traditën e qytetit është edhe “Sofra e Elbasanit”.

Gledian Llatja, kryetar i Bashkisë Elbasan tha në intervistë për Report TV se “sheshi kryesor i qytetit është bërë gati që në fillim të marsit, por patjetër për të kulmuar në datat 13 dhe 14 mars, por edhe në 15 paradite, pasi ka qëlluar edhe fundjava. Pra e gjithë fundjava është fundjava e Elbasanit.”

Me tej shton se “një sërë miqsh kanë konfirmuar që do të vijnë dhe është një moment ku shprehet tradita dhe kultura e Elbasanit në mënyrën më të mirë të mundshme.”

Te premten e 13 marsit në sheshin Sheshi Gensher organizohet “Teatri i Ftohtë” me maskota për fëmijë, panairi i ballokumes, panairi i zejtarëve dhe panairi i bujqësisë. Edhe Kryeministri Rama përmes nje postimi ne rrjetet sociale fton qytetaret te bashkohen në Elbasan në Panairin e Produkteve Bujqësore “Nga toka jonë në sofrën tuaj”, ku fermerë dhe prodhues do të prezantojnë prodhimet e tyre.

Ndersa ne mbremje sheshi do të ndizet nga atmosfera festive ku ne skene do të ngjiten Xhensila Myrtezaj, Ledri Vula, Eneida Tarifa dhe DJ Noiian.

Festimet kulmojnë me 14 Mars me programin “Summer Day Go Wild” dhe aktiviteteve për 100-vjetorin e Elbasanit. Në mbrëmje do të mbahet një koncert i madh me artistët Mc Kresha dhe Lyrical Son, Lorenc Hasrama, Anxhela Peristeri dhe DJ Noiian.

Por festimet do të vijojnë edhe më 15 mars me paradën e makinave retro, shfaqje në “Teatrin e Ftohtë” dhe krijimi i një lulishteje me trëndafila në qytet. Ndërsa në mbrëmje do të mbahet koncerti me artistët Eranda Libohova dhe Era Rusi.

“Restorantet janë të prenotuara tashmë dhe kemi pasur shumë kërkesa për ta vizituar Elbasanin gjatë këtyre ditëve”, tha ai.

Përveç ballokumeve do të ketë një sërë produktesh të kulinarisë tradicionale të qytetit. Familjet e vjetra të Elbasanit do të sjellin recetat e tyre autentike.