Shpërthimi i tubit të gazit të një mjeti lundrues ka lënë të plagosur 39-vjeçarin me inicialet E.N mbrëmjen e kësaj të marte në Velipojë.

Ngjarja ndodhi rreth orës 19:00, pranë Stacionit të Policisë Kufitare, në momentin kur pronari i mjetit lundrues po zbriste nga karroceria ku transportohej skafi. Dyshohet se tubi i gazit shpërtheu aksidentalisht, duke i shkaktuar djegie në trup.

39-vjeçari u dërgua fillimisht në Spitalin Rajonal të Shkodrës, ku mori ndihmën e parë, ndërsa më pas u nis drejt Tiranës për mjekim më të specializuar.

Policia po heton për të zbardhur rrethanat e plota të incidentit.

Njoftimi i Policisë 

"Rreth orës 19:00, në afërsi të Stacionit të Policisë Kufitare Velipojë, dyshohet se, gjatë zbritjes nga karroceria e një mjeti lundrues në pronësi të tij, shtetasit E. N., 39 vjeç, i ka shpërthyer aksidentalisht tubi i gazit të këtij mjeti lundrues. Si pasojë, 39-vjeçari ka pësuar djegie në trup. Pas marrjes së ndihmës së parë në Spitalin Rajonal Shkodër, ai po transportohet drejt Tiranës për mjekim më të specializuar. Grupi hetimor po kryen veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes"