I pyetur nëse paraburgimi i Belerit po zgjatet qëllimisht nga qeveria shqiptare në mënyrë që të mos betohet si kryebashkiak i zgjedhur i Himarës, Rama e mohon kategorikisht. Ai shprehet se qeveria nuk ndërhyn në punët e SPAK e për këtë solli si shembull faktin se shumë zyrtarë të lartë, pjesë e PS-së janë në kërkim dhe në paraburgim nga Prokuroria e Posaçme.
“Së pari, që në momentin kur SPAK, Prokuroria jonë speciale për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar futet në një proces zyrtarisht, gjithmonë unë, qeveria ime, partia që unë drejtoj, pra shumica parlamentare e Shqipërisë bën të njëjtën gjë, ekzakt të njëjtën gjë, siç kemi bërë dhe në këtë rast. I referohemi vetëm drejtësisë sovrane për të bërë drejtësi dhe nuk interferojmë në asnjë formë dhe përmes asnjë rruge, qoftë publikisht, qoftë jo publikisht në punën e saj. Sepse ky është një moment historik për Shqipërinë. Dhe sot kjo drejtësi nuk është në aktin e vetë të parë me zotërinë për të cilin është shqetësuar Athina zyrtare, por ky është njëri nga hallkat e zinxhirit të krijuar të këtyre akteve të goditjes së problemeve me të cilat ajo merret të njerëzve shumë pranë pushtetit.
Sot ish zëvendësi im është në kërkim. Janë 4 apo 5 kryetarë bashkish të Partisë Socialiste që janë në paraburgim, në pritje të daljes në gjyq për të njëjtën arsye:Vullnetin e kësaj drejtësie për të goditur pa parë se çfarë ngjyre ka, se afër kujt është apo se kë po lëndon nga pikëpamja politike apo nga pikëpamja financiare.”
Lajmi kryesor:
Çështja Beleri/ Rama për median greke: S'mund të kemi dy drejtësi, s'përzihemi në punët e SPAK! Kërcënimet e Greqisë për hakmarrje? Antike, aspak evropiane











