PODGORICE - Ish-deputeti italian Massimo Romagnoli është arrestuar në Podgoricë të Malit të Zi, së bashku me dy shtetas të tjerë rumunë,  pasi akuzohet për trafik armësh në favor të Forcave të Armatosura Revolucionare të Kolumbisë (FARC).

Lajmi bëhet i ditur nga mediat italiane sipas të cilave prangosja e tyre ka ardhur si rezultat i një urdhër-arresti të lëshuar nga autoritetet amerikane, pasi dyshohet se armët e trafikuara nga ish-deputeti italian i partisë Forca Italia do të përdoreshin nga FARC për të vrarë ushtarët amerikanë.

Sipas mediave ndërkombëtare operacioni policor është shtrirë që nga Bukureshti dhe deri në Podgoricë, dhe i cili është finalizuar me prangosjen e Romagnolit dhe dy rumunëve të identifikuar si Cristian Vintila dhe Virgil Flaviu Georgescu.

Armët për të vrarë ushtarë amerikanë
Arrestimi në Podgoricë i Massimo Romagnoli dhe dy shtetasve rumunë, me urdhër të autoriteteve amerikane, është raportuar edhe nga e përditshmja malazeze “Vijesti”, e cila nuk ka saktësuar kur ai u arrestua. Romagnoli ishte anëtar i Forza Italia, nga prilli 2006 deri në maj 2008 dhe sipas autoriteteve amerikane, armët e trafikuara do të përdoreshin nga  Forcat e Armatosura Revolucionare të Kolumbisë për të vrarë ushtarë amerikanë. 

romagnoli

Kush është Massimo Romagnoli
Massimo Romagnoli jeton që prej vitit 1989 në Greqi, një vend për të cilin ai ka qenë i emëruar si përfaqësues i Konfederatës së Sipërmarrësve Italiane në vitin 2005. Ai ka qenë pjesë e Forza Italia për vitet 2006-2008, i zgjedhur nga juridiksioni i huaj. Ai ishte emëruar Përgjegjës i jashtëm i grupit të euro-deputetëve në partinë e Berluskonit dhe Përgjegjës Evropian i italianëve në botë. Ai gjithashtu krijoi Fondin e Kreditit në favor të italianëve jashtë vendit për zhvillimin e tregtisë dhe artizanatit.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)