Poetika e përrallave të shkrimtares Nexhmije Muça

Poetika e përrallave  të shkrimtares Nexhmije Muça

Nexhmije Muça hyri në fushën e letërsisë për fëmijë përmes magjisë së përrallës, duke e rrëfyer atë në të shumtën e rasteve në vetën e tretë, përmes një narracioni lirik të papërsëritshëm. Hyri si një krijuese e talentuar për të cilën kishte nevojë kjo letërsi për të vazhduar më tej gjininë e përrallës, kuptohet me imazhe të reja të përceptuara mbi bazën e vështrimit individual. Vlerat artistike që “jetojnë” në krijimtarinë e ofruar nga ana e autores, na thonë se, ndoshta ishte më e talentuara e brezit të saj. Talenti i saj po shpërfaqej, kur letërsia për fëmijë po i gëzohej “kohës dhe rrëfimit të përrallës”. Ishte koha kur krijimtaria e vyer përrallore shënohej nga emrat e shkrimtarëve Odhise K. Grillo, Bedri Dedja, Gaqo Bushaka.

 Po t’i hedhim një vështrim krijimtarisë letrare për fëmijë të deritanishme të shkrimtares Nexhmije Muça, do të vërejmë se ajo i ka qëndruar besnike gjinisë së përrallës. Si cilësim i individualitetit të saj krijues, lëvrimi i kësaj gjinie paraqet një parafytyrë të veçantë, sa poetike aq dhe meditative; ku embrioni i së mrekullishmes shfaqet dhe përftohet gati-gati si adhurim, por edhe si akt sublim, duke rrezatuar herë pas here fllade misticizmi (në kuptimin e mirë të fjalës), por edhe duke pranuar dhe marrë të mirëqenë element të domosdoshëm të kësaj gjinie: misterin.

Si e tillë krijimtaria përrallore e Nexhmije Muçës është një ndryshe nga opusi i Naum Priftit, (ku kemi trajtesa me mjeshtri të problemeve dhe dukurive sociale të jetës), nga opusi i Odhise Grillos, ( ku psikologjia e mençuria popullore është mjaft evidente dhe hyn organikisht edhe në ndërtimin e strukturën tradicionale të përrallës), nga opusi i Adelina Mamaqit, (ku ngrohtësia e elementit komunikativ dhe e papritura janë dy shtyllat që mbartin dinamikën e zhvillimit të përrallës), nga opusi i Bedrit Dedjes, (ku frymëmarrja e përditshmërisë së jetës me dukuritë e saj më problematike lëvizin nëpërmjet personazheve-të rritur e të vegjël), nga opusi i Gaqo Bushakës, (ku situatat dhe batutat humoristike janë pjesë e fabulës së përrallës), etj. etj.

Kjo ndryshe e krijimtarisë së Nexhmije Muçës, konsiston në të veçantat e portretit artistik, mjetet e shprehjes që spikasin në individualitetin e saj, që e përligj gjithë krijimtaria e botuar deri tani, dhe që ka një emërues të përbashkët: shpalosëse me dinjitet artistik të përrallës floreale e ndërtuar, përceptuar dhe e shtjelluar përmes një lirizmi fatlum. Mbase në këtë marrëdhënie të autores me përrallën, në këtë “intimitet” që e krijon përmes magjisë së frymëzimit të cilën ajo e ruan me “fanatizëm” në bashkëbisedim me të, mendoj që duhet kërkuar çelësi i punës mjeshtërore, i vlerave cilësore dhe i realizimeve interesante përmes ngjyrave akuarelistike. (Në këtë të fundit, herë pas here këto përralla lirike mbresëlënëse të shkruara përmes dridhërimës së shpirtit poetik të autores Nexhmije Muça, më kujtojnë lirizmin e Ndre Mjedjes, Lasgush Poradecit, Xhevat Beqarajt, Moikom Zeqos, Frederik Reshpjes, të cilin nuk gaboj, këtë të fundit, ta quaj “poeti i përrallave”).

  2. Përrallat e rrëfyera me aq ndjenjë nga shkrimtarja Nexhmije Muça kanë si personazhe: lule (luleshqerra) luledelja, lulegjembi, zymbyli, puhiza, tulipani, lauresha, pëllumbi, perla,  flladi, farëzat, hëna, zogj, rabecka etj.; por edhe mbartin toponime e simbolika, si: Deti i Luleve, Bjeshkët e Nëmuna, Ylli i Lumturisë, Mjelma e Artë, Ylli i Mëngjesit, Mali i Argjendtë, Lëndina e Fluturave, Lëndina e Kristaltë, Korija e Mrekullive, Liqeni i Zambakëve, Lugina e Bekimit, Ranishtja e Mallkuar, Njeriu Guximtar, Trëndafili i Egër, Drenusha Syxixëllonjë, Lisi Truplartë, Flokarta, Flokëzeza, Lulja e Miqësisë, Oborri i Puplavetëtiturve, Reja Xixëlluese,  ..., që lëvizin, dialogojnë, veprojnë, ëndërrojnë, besojnë dhe fitojnë... Të gjitha këto në skena e situata të magjishme, në hapësira sa përrallore aq dhe jetësore, ku orë e çast ndjen stinën e pranverës me aromën, kthjelltësinë, lulimin, ngrohtësinë dhe shijen e saj ëndërrsjellëse dhe ëndërrbesuese... 

Ndërsa për mënyrën se si autorja Nexhmije Muça i ka sjellë përrallat, kritiku Hasan Hasani na thotë se janë këto: “Përrallat që ua servoi lexuesve të vegjël, me laryshinë e temave dhe motiveve, bënë për vete shtresa të gjëra shkollarësh. Mënyra se si u qaset frymëzimeve, komunikimi me të vegjëlit, shtrirja e rrëfimit, narracioni etj, përvetësuan shpirtërat e njomë duke i kthyer ata në personazhe të krijimtarisë së saj. Këtë Nexhmije Muça e arriti në saje të angazhimit të saj, përkushtimit dhe seriozitetit që i parashtroi vetes, duke depërtuar në botën e brendshme të fëmijës, duke hetuar me dashuri gjithë atë që u pëlqen atyre, gjithë atë që struket në shpirtin e tyre të njomë, duke e veshur me petkun artistik krijues, duke i bërë ato pjesë të pandashme të jetës dhe të librit”. Gjithashtu ky studiues, për të plotësuar më tej portretin e autores, u mëshon edhe këtyre elementëve: -fantazinë dhe ëndërrat fëminore i vë në binarët e lojës, - shfrytëzon legjendat shqiptare, - vërehet në planin shkrimor se motivet, temat, legjendat... i shkroi me mjeshtëri si përralla. Ndërsa studiuesi Astrit Bishqemi flet për dukuri të tjera të shkrimtares, si: “Autorja animizon, personifikon e simbolizon elemente të florës dhe të faunës. Mesazhet që rreh të transmetojë lidhen me lumturinë e njeriut, me vlerësimin e miqësisë, të lirisë, të punës e të talentit, me dashurinë ndaj atdheut, me thjeshtësinë që duhet ta karakterizojë njeriun në jetë, etj.”

 Shkrimtarja Nexhmije Muça ka lindur, më 09.12.1956 në Fier. Në këtë qytet mbaroi shkollën e mesme. Më pas studimet e larta i nisi në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi, u transferua në Tiranë ku përfundoi studimet në degën gjuhë shqipe – letërsi dhe pasuniversitare për gazetari. Punoi ca kohë redaktore në Shtëpinë Botuese Enciklepedia, më vonë kryeredaktore e revistës “Mrekullia (1998 – 2000), më vonë mësuese në Liceun Artistik “Jordan Misja”. Gjatë viteve si mësuese, ajo është bashkautore e disa teksteve të letërsisë për shkollën e mesme (Botimet shkollore ALBAS). Shkroi këto vepra (Letërsi për fëmijë):

-          “Luleshqerra”, Sh. B. “Naim Frashëri”, përrallë, 1987

-          “Udhëtimi i Gentit”, përrallë, Sh. B. “Rozafa”, 1995

-          “Vajza dhe zogu”, përralla, (1995, 1996, 1997, botime të Sh. B. “Rozafa”), 2006, botim i Sh.B. “Extra”

-          “Shtëpia e Perlës”, përralla, Sh.B. “Rozafa”, 1999

-          “Reja xixëlluese”, përralla, Sh.B. “Extra”, 2007

Shkodër, tetor 2019

Literatura e shfrytëzuar:

-Bishqemi, prof. as. Dr. Astrit: Histori e Letërsisë shqiptare për fëmijë e të rinj, botimi i tretë, i plotësuar dhe i përmirësuar, dy Lindje dhe dy Perëndime, Tiranë 2008; 4.3.3.4 Përralla, Vajza dhe zogu, f. 716.

  -Hasani, Hasan: Shenjëzime (përshtypje letrare), Shtëpia Botuese FAIK KONICA, Prishtinë 2011, shkrimi: Kur legjendat bëhen frymëzime, f. 118 – 124.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Atmosfera festive në Kosovë, tregu i Krishtlindjeve në Prishtinë tërheq vëmendjen e të huajve

Atmosfera festive në Kosovë, tregu i Krishtlindjeve në Prishtinë tërheq vëmendjen e të huajve