Poezia e Frederik Reshpjes 'Ti qave' e të tjera/ Nga Mark Simoni

Poezia e Frederik Reshpjes 'Ti qave' e të tjera/ Nga Mark Simoni

Poeti Mark Simoni i ka dedikuar një poezi të ndjerë poetit të shquar Frederik Reshpja. Për suplementin Rilindasi të Shqiptarja.com ai ka prezantuar disa poezi të zgjedhura.

1. TI QAVE

(Frederik Rreshpjes)

Motivet me shirat e verbër të Shirokës,

Mjegullat hollake të shkurtit,

Dhe gjurmët vocërrake të të dashurës, që s’e pate kurrë,

(Krejt ashtu, si macet e vogëla,

që lodrojnë mbi tjegullat e shtëpive të vjetra),

Kërcyen e ranë brenda teje,

Ranë në pellgun e madh të një ofshame,

Bash atje,

Ku klithte dhe përplitej dëshira jote për ta shkruar një këngë.

 

Nuk mundeshe më,

Dhe qave.

 

E krejt i drobitur, lodhur prej motivesh,

E tunde dorën tënde të zbehtë,

(Si flaka e një kandili, që shuhet mesnatës ngadalë),

Dhe thirre vdekjen.

 

E thirre,

Që, në gjoksin që s’të këndonte dot më,

Vdekja të të vinte një kyq,

Mbi shpinën e kërrusur, (mbështjellë me kapotën e vjetër),

Një kryq.

 

Në qielli e cfilitur të shtatit tënd ,

U mbyll njëherë e përgjithmonë,

Shtegtimi pa krahë

I lirikës së fundit.

 

Ferrat e idhëta, rreth vorrit tënd,

Natën

Dëgjojnë një zë lutje.

 

2. NË KËSHTJELLËN E XHULIETES

Me një vajzë që s’bëhet dot Xhulietë,
(Ndoshtanga që edhe unë s’jam dot Romeo),
Kam ardhur në kështjellën tënde, 
Në kështjellën ku vetëm atëherë ka ndodhur ngjarja,
Dhe kurrë më.

Pranë qirinjëve të kuq, 
Puthemi,
Pimë,
Si qiriu
Shtiret të digjet shpirti im.

E kanë kuptuar Xhulietë se nuk përsëritesh dot më, 
Kurrë më.
Dhe atje në çardakun ku je rrëzuar,
E s’të ka ngritur dot kush,
Arkitektët kanë sajuar 
Pak mister, terr, melodi dhe qirinj të kuq.

Me një vajzë që s’është Xhulietë,
Puthemi, pimë.
O Zot, në këtë kështjellë,
Shtirja po na mbyt gjithsesi.

 

3. AUSHVIC

Një mal me flokë të prerë, (flokë të kokave që u dogjën).

Diku më larg një mal me krëhrat e flokëve të prerë.

 

Malet zgjaten, ecin, mundohen,

Dot nuk bashkohen.

 

Nga dhimbja e mungesës

Krëhërave dalngadalë

Po u bien dhëmbët.

 

4. PRAGA

Praga është larg, përtej dëborash të ngrira,
Lumenjsh e shirash të mugët,
Tutje,

Përtej në Europë,
Nuk e ngroh dot kontinentin e ngrirë,
As trupi yt i ngrohtë.

Hidhi një sy dhe për mua Pragës,
Kështjellave gotike, historive të fshehta,
Fasadave të ngrira nën dëborë,
Mjegullat e verbëra të ta fshehin Pragën,
Mundohen më kot,
Por s’ta fshehin dot.

Shëtite ti dhe për mua Pragën,
Shtëpitë e shkrimtarëve, kishat e vogla gërmuqe,
Dhe për mua vizitoi ti,
Atë qytet murg, tërheqës, të mugët,
Atë vend gri,
Ndriçoje sadopak edhe ti.

Rrugicash të vjetra, të ngushta të Pragës,
Bredh ti, shpirti im,
E bukur, e largët, e huaj, e përkorë,
Hotelesh të ndritshëm, të ngrohtë,
Me shtretër të ngrirë, akull të ftohtë,
Trupi yt mundohet më kot,
T’i bëjë të ngrohtë
Ata shtrëtër të ftohtë.

Bëje ti, shpirti im i përhumbur,
Me shtatin tënd të ngrohtë,
Të shkrijë dimri i vjetër i Pragës,
E të dalin ndërtesat mbi dëborë,
Dikund unë, harruar në këtë botë,
Pa ty, shtrati im është akoma i ftohtë.

 

5. PUTHJA
Ti duke u ngritur pak në maj të gishtave,
Dhe hedhur krahët rreth qafës sime,
I prekje buzët e mia me buzët e tua.

Tani
Unë pa u përkulur fare,
Dhe ti pa u ngritur në majë të gishtave,
I arrinë buzët e mia
Me buzët e tua

CCfarë mrekullie.
Ty,
Të paska rritur puthja!

 

6. PËRHERËTË BUKURA GRATË

Po sa të bukura gratë

Edhe kur shkojnë për zi në mort.

 

Të hijshme në çetësinë e tyre,

Enden si në ëndërr, pa bërë zë,

Me sytë e zmadhuar pak më tepër se herët e tjera,

Prej habisë së vdekjes.

 

Të gjitha njëlloj, mbështetur lehtë në supet e njëra-tjetrës,

Pa fjalë.

Me tesha të zeza,

Me lotët më të rëndë se përherë,

Me përvuajtjen e tyre, që i bën aq reale sa s’ka,

Të përkora në shenjtërinë e tyre,

(Si filli i perit që digjet ngadalë brenda qiriut, dhe bën dritë), 

Të menduara më thellë,

Hutuar paksa prej kujtimesh, dashurie dhe malli,

Plot dhembshuri, delikate, me shamitë e lotëve mbledhur në grusht,

Mes tokës dhe qiellit më afër se kurdo.

 

Fërgëllojnë trupat e tyre prej ngashërimit,

Dënesa e vajit nën zë, lulëzon hije të bukura,

Fytyrat e tyre me pak gjumë, gjithë nur,

Bukuria e grave shtrihet si një brymë e bardhë,

Që zbut sadopak zinë përreth,

 

Të bukura, si përherë gratë,

Edhe këtë herë.

 

7. KËSULËKUQJA, PËRRALLA E TË RRITURVE

E theve shishen e verës dhe të virgjërisë Kësulekuqe,
Kësulëkuqe me kësulë të hirtë, si flirt.
Ti s’je aq e vogël sa dukesh në përrallat e fëmijëve,
Ti je përralla tronditëse e të mëdhenjëve,
Je përralla e zbutjes së ujkut,
Përralla e famëshme e dashurisë.

Gjyshja është futur kot në përrallë,
është gjyshja e ndonjë përralle tjetër që i ka humbur historia,
Dhe në ngjarjen tënde është thjeshtë një plakë me syze,
(është pra pjesa që duhet për t’ua thënë fëmijëve).
Pastaj diku janë ca lule, ca flutura që sillen në lëndinë,
Diku ti,
Me shishen e thyer të virgjërisë.

Kësula e hirtë, mijra flirte,
Kësulëkuqe,
Ti je përralla e mrekullueshme e të rriturve.

 

8. NATË

(lirikë)

Poshtë strehës së qiellit ikën një tufë krillash,

Në parkun mbetur shkret, një flaut bie në vetmi,

Unë harruar rrugësh, me duar në xhepa,

Bredh nëpër natë, fishkëllej për ty.

 

Fle vjeshta mbi telat e teshave që thahen,

Zogjtë dremisin në folenë e një përralle të vjetër,

Ëndërrat përkunden si varkat në molin e vogël,

Presin ty, që të zgjohesh patjetër.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ngjarja në Pogradec, jeni dakord me akuzën si vrasje nga pakujdesia?



×

Lajmi i fundit

Ura e Ibrit, Osmani: Sigurohemi që të mos ketë konflikte! I drejtohet Stanos: Kur kalon në urat e tua s’i kërkon kujt leje

Ura e Ibrit, Osmani: Sigurohemi që të mos ketë konflikte! I drejtohet Stanos: Kur kalon në urat e tua s’i kërkon kujt leje