Poezia e Podrimjes, shqisa dëshmitare

Poezia e Podrimjes, shqisa dëshmitare
Përveçse lëndë poetike, poezia e Podrimjes ka regëtimën e rrëqethjen gati inkoshiente të një shqise si të përtejme, sidoqoftë është shqisë që prek, lëndon dhe dhemb. Nëse na jepet rasti të përzgjedhim mes poezive që i ka shkruar dëgjon nga ai (lexon) se: “Nën dritë pishe të malit tim e shkruaj librin tek lexoj yjet para se të shuhen në katakombet e errëta të kujtesës”. Poezitë e Podrimjes përherë i ngjajnë një lumi që lëshohet me vrull shtatit e rrjedhës pa e ditur se ku do të ndalë, ku do të kthejë e ku do të përfundojë. Kjo mënyrë të shkruari e ruan edhe të freskët krijimtarinë e tij, sikur rrjedha e lumit që s’bëhet dot moçal.

Nga kjo mënyrë të qeni si poet, ndodh që lexuesit shqiptar ia ngatërrojnë shpesh Podrimjes moshën. Disa nga ata që i dinë vetëm emrin nga librat dhe nuk e kanë takuar asnjëherë mendojnë se ka qenë këtu e 20 vjet më parë plak, e disa mendojnë se është sot ndoshta edhe 20 vjet më i ri. Ky ngatërrim imazhi me moshën ose fizikun e poetit, saqë kur nuk e kishin parë disa e mendonin se pikërisht ai ishte një burrë shumë shtatlartë..! Kjo e fundit ka ndodhur aq shpesh, saqë dyshoj se nuk mund të shpjegohet kjo gjasë me dukuri tjetër veç me të ndjerit pranë të poetit si njeri, si frymë, si zë, mandej ka qenë i pranishëm me pushtetin e fjalës. Po përfytyrimi mbi shtalartësinë e madhe të poetit mundet të ketë ndodhur edhe pse në vargjet e tij duket sikur fati i atdheut e kombit është ashtëzuar në të. Madje në të gjitha poezinë e tij atdheu (jo vetem Kosova, por mbarë trojet shqiptare) është i pranishëm njëjtësisht me lindjen dhe pritjevdekjen e poetit: “Vendi im quhej Dardani pastaj ia ndërruan ardhacakët Në ngadhnjimin tim unë besoj.” Sa herë që kujtesa e poetit bredh dlirësisht në prej jetën historike të të parëve tanë (shqiptarëve), nuk mundet të mos qaset një dëshirim prej burri që i del zot kombit, një kumtesë ose një fjalë urtësie që gjithsesi më mënyrë paqësore do t’i dali zot. Shih: “Me zotëra vë bisedë në horizont që rrëshqet Përfytyroj paranoikët dhe gjurmët kah Maja Identiteti i Evropës si të lexohet në porta të hekurta kur trokasin e më zgjojnë krrokamët e zogjve parahistorikë

Dëshmoj se kam të drejtë të jetoj (Poezia “Dëshmi” A.Podrimja) Kështu thotë burri i urtë Ali Podrimja..! Për të shquar shqisën e tij poetike si dëshmi të pamohueshme ka vargje të Podrimjes që të bëjnë të vuash bashkë me poetin a ndoshta të qash nëse e di përse është fjala...si në vargjet: “Librin mbi të qenit e shkruaj në shkretëtirën gllabëruese ku guri pikon gjak dhe e uroj për fuqinë që ma fal” Ku guri pikon gjak dhe ti uron për fuqinë që ta fal, është një përjetim ndoshta nga më surealët, nga ata që të rrëqethin mishtë. Prekja e poetit bëhet dhimbja jote. Kemi këtu një nga ato poetikat që kanë krijuar simbiozën e bashkëvuajtjes së individit sikur kombi i tij vuan. Jemi këtu mëdyshas në hapësirën frymore të lejuar për poetin dhe krijimin dhe rezonancën ose më saktë hapësirën frymore të lejuar për lexuesin dhe ndjesitë e tij. Vargu i Podrimjes kullon si një bashkëbisedim që nuk t’i rronit veshët, por e tërheq edhe shpirtin edhe zemrën të dëgjoj.
Shih në vargjet e poezisë së Podrimjes “Hiena”:
“Dekën ia pashë
Ia dëgjova gjamën
Mbi dhè hiena
Na i ha fëmijët më?”

Poezitë e Ali Podrimjes janë në gjendje të krijojnë një shfaqje të plotë të dramave të mëdha, duke ligjëruar në situata poetike hiperrealiste lakuar nga ndjesi gati paranormale, që ligjërojnë shqisën e dëshmisë më të plotë të një poeti që nuk di të jetë ndryshe, përveç atdheu i tij, ose miti i atdheut-shqiptari model.

Muzat e poetit janë autoktone. Ai di të bisedojë me to si në një zgjëndër ndërsa fantazisë së tij pa frikë i faniten të gjalla muzat e Drinit, muzat e Mortjes, etj. Edhe shtriganitë epike janë pasuri e metaforës dhe simbolikës së Podrimjes aq sa në shumë raste vjen i plotë perceptimi i gjarpërit dhe lotit.
Tek poezia “Mortja i harroi”, Podrimja e fillon bashëndrrën e tij me këto fjalë:
“Pse nuk plaken shqiptarët
Më pyeti një mikeshë e veriut
Tek i bija Fyellit në breg të Drinit
Mortja diku i harroi zonjë
Se koha u shndërrua në guri”

Duket se pesha e rëndë e fatit të Kosovës, e gjithë shqiptarisë është bërë barrë e epërme në poezinë e Podrimjes, por jo makth, por as ndjesi që kalon pa u lënduar, pa u prekur.

Megjithatë poeti i përulet atij dëshirimi metaforik me ndjesi të mirë, pasi kalon nga dhembja njëherë ku guri pikon gjak dhe mandej uron për fuqinë që i fal. Në një poezi që i ka kushtuar Aleksandër Zotos ai i thotë:
“Do vdesim në mënyrë ilire
Duke puthur TokëDiell
Do i marrim me vete edhe vrasësit
Fundi i lojës Zgjimi i perëndive”.

Jemi aktualisht në bashkëbisedim me poezitë e Ali Podrimjes që nuk ndal rrjedhën prej afër 50 vjetësh krijimtari. Ai gjithmonë shkruan. Nëse duam e lexojmë një poezi dhe jo pak turbullohemi prej asaj që na kumton. E ndjejmë që nga ky çast se kohë më vonë, më shumë se fantazmat e historisë, do ta na duhet ta ndjejmë gjallë ekzistencën tonë prej kësaj poezie, një shqise pothuaj dëshmitare. Ai, Podrimja do ta ketë lënë shpirtin në poezitë e tij, bashkë me truallin ku jeton dhe për ne që e lexojmë në kohë pas kohe tërë sy e veshë. Për ata që bashkëbisedojmë me poezinë e tij ka një kumtesë të tillë në formë dedikimi:

“Putha pikën e gjakut

Mes Qiellit e Tokës

Më mbuloi drita hyjnore

Guri ia lëviz, rrënja

Frymon atDheu, paska Zot”.

Këtë poezi Podrimja ia kushton poetit Visar Zhiti, jo aq si poet, por si një gëzim takimi me të pse gjuha gjen gjuhën e kuptimit mes shqiptarëve, gjithaq ua dedikon edhe lexuesve të poezisë së tij plot dhimba dhe hare.

Shkruar në vitin 2008

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Rama njofton ndryshimet në qeveri, Balla shkarkohet si ministër i Brendshëm, Peleshi kreu i grupit të PS! Ikën Mete

Rama njofton ndryshimet në qeveri, Balla shkarkohet si ministër i Brendshëm, Peleshi kreu i grupit të PS! Ikën Mete