Pak ditë pas prezantimit përpara lexuesve me romanin e saj të ri: "Njeriu që fliste me pemët", poezia e Irma Kurti është vlerësuar me tre çmime në konkurse të ndryshme letrare në Itali. Çmimin e parë në Konkursin Ndërkombëtar "Europa" në Lugano, Zvicër me librin me poezi: "Sotto la mia maglia". Kjo përmbledhje e botuar në gjuhën shqipe në vitin 2013, u botua këtë vit dhe në Shtetet e Bashkuara.
"Non è questo il mare" botimi më i ri i autores në gjuhën italiane, u vlerësua me çmim të dytë në kategorinë e librave me poezi në Konkursin "Città di Pontremoli" në Toscana dhe së fundi në Konkursin për vepra të pabotuara, që mban emrin e poetit të shquar italian, fitues të çmimit Nobel, "Salvatore Quasimodo" në Palazzago, Bergamo, poezia e Kurtit e titulluar "Shelgu lotues" u vlerësua me çmim të tretë.
Kur e pyesin autoren si ndihet mes binomit: poezi- prozë, ajo përgjigjet: "Kam nisur të shkruaj vargje që kur isha fëmijë e mund të them që unë dhe poezia jemi rritur me njera-tjetrën. Me të kam ndarë të gjitha momentet e mia të gëzimit, por mbi të gjitha të dhimbjes, frikës dhe zhgënjimit".
Irma thotë se ndihet e sigurtë me poezinë, pasi i duket sikur shëtit në një park që e njeh mirë, prej një pafundësie vitesh. "Por ndodh shpesh që parku shndërrohet në pyll kur jam duke shkruar prozë e veçanërisht roman. Atje druhem se mos humbas e nuk e gjej dot udhën e kthimit", thotë Irma e njohur në Shqipëri në vitet 80-të si një poete e spikatur edhe në shkrimin e teksteve të këngëve në Festivalet në Radio-Televizionin Shqiptar.
Irma Kurti jeton prej vitesh në Itali. Në vitin 2013 fiton Çmimin Ndërkombëtar "Universum Donna" për Letërsinë dhe emërtimin "Ambasadore e Paqes" të vlefshme për jetë, nga Universum Academy dhe Universiteti i Paqes në Lugano, Zvicër. Librat e saj janë përkthyer në italisht dhe në anglisht.
/atsh/