POGRADEC - Një 40-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e rënies së  një masiv gurësh teksa ai ishte duke gërmuar në një shpat mali në fshatin Çerrave të rrethit Pogradecit.
 
Ngjarja e rëndë u regjistrua rreth orës 10:30 të mëngjesit të së dielës.
 
Sipas policisë bëhet fjalë për 40-vjeçarin Nazar Bejleri babai i tre fëmijëve i cili duke gërmuar shpatin e malit e ka zënë një masiv gurësh ç’ka i ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
 
Në momentin e ngjarjes viktima ka qenë së bashku me djalin e tij duke nxjerrë gurë në një shkëmb në dalje të fshatit kur ka rrëshqitur dhe për pasojë ka humbur jetën.
 
I tronditur nga ngjarja e rëndë që i mori jetën babait të tij Romeo, djali i vogël i  viktimës  ka treguar se gjendja e vështirë ekonomike i detyronte që të turreshin në mal për të nxjerr gurë dhe më pas i shisnin për të mbajtur familjen.

Ndërkaq uniformat blu kanë mbërritur në vendin e ngjarjes për të bërë dokumentimin e plotë të saj. 
 

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)